Çështja e emigrantëve rrezikon të hapë një krizë pa precedent në historinë e Bashkimit Europian. Vendet e grupit të Vishegradit (Polonia, Çekia, Hungaria dhe Sllovakia) u mblodhën dje në Budapest, në një takim operativ të jashtëzakonshëm.

Katër vendet anëtare në presidencën e Hungarisë njoftuan se nuk do të marrin pjesë në samitin e BE-së të dielën, për çështjen e emigrantëve. Kjo është hera e parë në historinë e BE-së që jo vetëm një vend, por një grup vendesh anëtare vendos të bojkotojë një event të tillë.

Lajmi u bë i ditur nëpërmjet një komunikate të përbashkët në fund të takimit, në të cilin ishte i pranishëm edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, një prej kundërshtarëve më të fortë të politikave të BE-së për emigrantët, e shpjegoi para mediave vendimin për të mos marrë pjesë në samitin e së dielës.

“Takimi i së dielës është i papranueshëm. Ne nuk do të marrim pjesë sepse ai është vetëm rishikim i propozimeve të vjetra, që ne i kemi hedhur poshtë”, tha Orban.

Në këtë mënyrë, grupi i Vishegradit duket i vendosur për të refuzuar jo vetëm propozimet e reja për rindarjen e kuotave të emigrantëve, por edhe idenë e krijimit të një force të përbashkët europiane për kontrollin e kufijve të jashtëm të BE-së. Hungaria në mënyrë të veçantë duket më e vendosura për lënien e kontrollit të kufijve nën sovranitetin e secilit vend.

Samiti i së dielës në Bruksel mbledh dhjetëra vende të BE-së, mes të cilave Italia, Gjermania, Greqia, Spanja, Malta, Bullgaria, Belgjika, Holanda si edhe katër vendet e Vishegradit. Drafti i ri i përgatitur nga Brukseli propozon metoda për përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjes së Dublinit dhe mekanizma të rinj solidariteti në ndarjen e kuotave të emigrantëve.

Edhe Polonia, përmes Krzysztof Szczersk, shefi i kabinetit i kreut të shtetit, kohët e fundit është shprehur kundër propozimit të BE-së për emigrantët, i cili sipas tij “rrezikon të hedhë në erë Unionin”.

Në kohën kur debatet për këtë çështje janë në kulm, duket se përplasja mes “Europës së vogël” dhe BE-së nuk do të jetë pa pasoja. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /TEMA/ j.j