Deputet e Kuvendit të Shqipërisë i janë përgjigjur thirrjes së ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në Kuvend, për të dhuruar gjak për fëmijët me talasemi dhe ata që kanë nevojë. Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, këtë të enjte, në kuadër të nismës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë dhuruar gjak 26 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale çeli fushatën e dhurimit vullnetar të gjakut “Gjak i sigurtë për të gjithë”, në Ditën Botërore të Talasemisë, 8 Maj 2019, për t’ju ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë. Fushata e dhurimit vullnetar është është shtrirë në të gjithë institucionet shtetërore në vend dhe deri tani kanë dhuruar gjak më shumë se 700 qytetarë.

Fushata do të vazhdojë deri më datë 14 Qershor, që është Dita Ndërkombëtare e Dhurimit të Gjakut, për të ndihmuar në plotësimin e nevojave me gjak, posaçërisht për fëmijët talasemikë dhe synohet të arrihet në 2500 dhurues vullnetarë.