Në zonën e “Don Boskos” ka nisur puna për ndërtimin e një shkolle të re, me kopësht të integruar. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dhe deputeti i PS, Ulsi Manja inspektuan fillimin e punimeve për godinën e re arsimore, e cila është pjesë e programit për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë.

“Kjo është një ditë fantastike për gjithë zonën e “Don Boskos”, e cila në fakt ndahet midis dy njësive, Njësisë 11, që është zona e Laprakës, dhe Njësisë 9. Janë disa investime që përshkojnë këtë njësi, duke filluar nga Bulevardi i Ri deri tek disa projekte të vogla, por që kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, siç janë shkollat. Bashkë me miken time Besën, sot inspektuam çeljen e kantierit të shkollës “Kristo Frashëri”, shkolla e re në ‘Don Bosko’”, tha Veliaj.

Falë këtyre investimeve, nxënësit e zonës së Treshit, Bregut të Lumit, Kodër-Kamza dhe zona e Spitalit Ushtarak nuk do të humbasin më kohë për të shkuar në shkollë. Gjithashtu, merr fund edhe mësimi me dy turne, duke rritur në mënyrë cilësore edhe arsimin. “Poli i parë ishte tek Universiteti Bujqësor, ku filloi shkolla “Nënë Tereza”; poli i dytë është ky ku jemi sot, me shkollën “Kristo Frashëri”; poli i tretë është tek rrethrrotullimi“Shqiponja”, ish Reparti Ushtarak, ku do të fillojë edhe një shkollë tjetër; poli i katërt do të vazhdojë në zonën e Astirit, ku kryqëzohet me Lanën. Merr fund kështu një pjesë e madhe e stresit të familjeve, të cilat bëjnë tranzit nga një orë për të vajtur në shkollë e një orë tjetër për t’u kthyer, plus kostoja financiare dhe koha e humbur, por mbi të gjitha, shpëton i gjithë qyteti nga ankthi 20 e kusur vjeçar i mësimit me dy turne”, tha ai.

Ashtu si 62 shkollat ekzistuese, edhe institucionet e reja arsimore do të shërbejnë si “Shkolla Komunitare” në fundjavë ose pasditeve, pas përfundimit të mësimit. “Edhe kjo shkollë është konceptuar si një shkollë komunitare. Ia kemi parë hajrin 62 shkollave që janë hapur për komunitetin; fëmijët, në vend që të rrinë në rrugë, tani po marrin një kurs në futboll, basketboll, volejboll, xhudo, taekwondo, shah, kitarë, pikturë, dhe sot janë në ambiente të mbyllura dhe të sigurta. Ndërkohë, shkollat e reja janë konceptuar që në fillim me territor të mjaftueshëm, që të përdoret edhe nga komuniteti gjatë kohës që s’ka mësim apo gjatë fundjavës, për çfarëdo lloj interesi komunitar”, tha ai.

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext
Veliaj deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit janë një referendum për mënyrën se si do vijojë Tirana. “E kuptoj që detyra kryesore e deputetit është të përfaqësojë në Parlament, ama në përballje me qytetarët, pjesa më e madhe e problematikës janë shkollat, kopshti, çerdhja, uji, dritat, ndaj jam i lumtur që për Laprakën, për Njësinë 11, po punojmë në shumë fronte. Në 30 qershor e kemi garën me veten. Pra, kemi garë që së pari, të japim llogari çfarë punësh bëmë, dhe në datë 30 qershor t’ju kërkojmë njerëzve se duam t’i vazhdojmë këto shkolla, këto kopshte, këto çerdhe, duam të vazhdojmë me ujësjellësin, duam ta zgjerojmë Bovillën, duam të vazhdojmë të mbjellim pemë, duam të vazhdojmë që Bregu i Lumit të jetë një zonë e mirë”, tha Veliaj.

Teksa siguroi se brenda një kohe të shkurtër shkolla do të jetë gati për të pritur edhe nxënësit e parë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini theksoi se falë ndërtimit të institucioneve të reja do të marrë fund edhe mësimi me dy turne. “Më vjen mirë që projekti ka filluar dhe nga inspektimi po shohim se në fakt është në kohë, e brenda një periudhe shumë të shkurtër do të shohim shkollën e ndërtuar. Në Tiranë e kemi ende problemin e shkollave me dy turne, që më këtë projekt të përbashkët që kemi me Bashkinë e Tiranës, besojmë se do të kryhet shumë shpejt, nuk do kemi shkolla me dy turne, dhe nxënësit do të mund të bëjnë jo vetëm procesin mësimor paradite, por edhe të merren me aktivitete të ndryshme pasdite”, nënvizoi ministrja Shahini.

Në emër të banorëve, deputeti i PS, Ulsi Manja falenderoi kryebashkiakun Veliaj për vëmendjen që i ka kushtuar kësaj zone, që nga dita e parë e marrjes së detyrës e deri më sot. Manja theksoi se në vend të molotovit ndaj institucioneve kushtetuese dhe efektivëve të Policisë së Shtetit, kjo mazhorancë ka zgjedhur punën dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

“Sot po shohim fillimin e punimeve në shkollën e tretë, pas shkollës së re që do të bëhet në Institutin Bujqësor, shkollës tek rrethrrotullimi “Shqiponja”, dhe kjo që është sot këtu në “Don Bosko”, e cila do t’i shërbejë komunitetit të dy njësive, Njësisë 9 dhe Njësisë 11. E falenderoj Erionin për bashkëpunimin. Bashkia e Tiranës ka qenë në punë nga dita e parë, dhe do jetë deri në ditën e fundit. Të tjerë kanë zgjedhur rrugën, të tjerë kanë zgjedhur flakadanët, kanë zgjedhur molotovin ndaj institucioneve kushtetuese edhe ndaj Policisë së Shtetit, ne kemi zgjedhur punën”, tha Manja.