Analisti Arjan Vasjari bëri një deklaratë të fortë në emisionin “Real Story”, në News24, teksa tha se ka vetëm dy rrugë për zgjidhjen e kësaj krize të thellë politike, njëra prej të cilave është asgjësimi i një pale politike.

Vasjari deklaroi se Meta duhet të ishte i pari që duhet të pranonte opinionin e Komisionit të Venecias në rastin e ngërçit kushtetues, pasi ishte pikërisht ky komision që i tha mazhorancës se Presidenti nuk ka kryer shkelje të rënda me dekretin e 30 qershorit sa për t’u shkarkuar.

Por, megjithatë, shtoi analisti, vendi ynë ndodhet në një krizë të tillë, sa nuk mund ta zgjidhë asnjë autor nga jashtë.

“Pikëpyetje mbi Komisionin e Venecias mund të ngrenë ose nëse ai është i paaftë, ose nëse është i njëanshëm. Shqipëria është shteti, ku Komisioni i Venecias është investuar më shumë. Pra, nëse ka një institucion ndërkombëtar që e njeh më shumë, është pikërisht Venecia. Unë nuk mendoj se Venecia është i paaftë dhe as i njëanshëm. Çështja është e qartë, por meqë ne të gjithë këtu dhe ata jashtë jemi në kërkim të një zgjidhjeje, që për mua nuk ka zgjidhje, unë them pse jo në Venecia. Meta duhet të ishte i pari që të pranonte, sepse ishte Venecia që i tha mazhorancës se ai nuk ka bërë shkelje të rëndë për t’u shkarkuar.

Thelbi është që ne kemi hyrë në një krizë të tillë, që nuk na e zgjidh kush. Nëse jemi në përpjekje për të gjetur një autor jashtë nesh për të na zgjidhur krizën, jemi në utopi, nuk kemi për ta gjetur. I gjithë faktori ndërkombëtar e konsideron Reformën në Drejtësi të suksesshme, që do të thotë ose do të tejkalohet një qasje pararevolucionare që kanë faktorët politikë në raport me krizën, ose do shkojmë drejt skenarit, ku një nga palët do të asgjësohet, sepse ne nuk mund të kemi më një zgjidhje kushtetuese të problemit. Palët nuk janë sot të gatshëm për konsensus”, tha Vasjari.