Ka nisur nga Njësia 5 turi i konsultimeve me qytetarët i buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2020. Në fjalën e tij në prezantimin e buxhetit kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se edhe vitin e ardhshëm kjo zonë do përfitojë një sërë investimesh shumë të rëndësishme, duke filluar që nga infrastruktura rrugore, ajo arsimore si dhe sportive. Ai tha se Njësia 5 do të përfitojë nga projekti i bashkisë së Tiranës të 100 lagjeve me dy projekte konkrete dhe që do prekin lagjen përreth Fakultetit Juridik dhe lagja në Selitë.

“Kemi planifikuar këtë vit një projekt fantastik që quhet projekti i “100 lagjeve” dhe kemi identifikuar 2 lagje që kanë nevojë imediate për t’u trajtuar si bllok. Pra kemi rrugë individuale që s’dua t’ju lodh me të gjitha por 2 lagje janë blloqe të tëra që duhen prekur. Së pari është blloku te Juridiku. Është një nga blloqet që duke qenë se është në qendër të Tiranës, ti mendon që është edhe i rregulluar. Kështu që i gjithë blloku rreth Juridikut, rreth “Petro Ninit”, rreth gardës, do të trajtohet si i tërë kështu që nuk dua t’i them të gjithë emrat e rrugëve dhe blloku i fundit i Selitës që kufizohet në fakt midis Njësisë 5 dhe 13, do kemi mundësi. Kështu që besoj që janë 2 blloqet më problematike. Pastaj kemi rrugë pafund ku do ndërhyjmë, por këto janë në nivel blloqesh te projekti ynë i “100 lagjeve”, tha Veliaj.

Sa i përket investimeve në infrastrukturën arsimore ait ha se krahas rikonstruksionit të disa shkollave në këtë njësi, do të nisë shumë shpejt edhe ndërtimi i dy shkollave të reja që do ti japin fund mbingarkesës në shkollat ekzistuese dhe do sjellin një cilësi më të mirë mësimdhënie.

“Do të fillojmë shkollën e re “Dritëro Agolli” në Njësinë 5, por sigurisht nga ana tjetër e rrugës është edhe Njësia 13, kështu që është një shkollë që do përfitojnë të dy palët. Sigurisht do të kemi edhe një shkollë tjetër në Njësinë 13, sidomos për lagjet e reja në Selitë që janë shtuar”, – theksoi Veliaj.

Gjithashtu ai bëri të ditur se do të nisë shumë shpejt edhe zbatimi i transformimit të Piramidës në një qendër moderne inovative ku të rinjtë mund të mësojnë kodim e programe kompjuterike. “Lajmi i mirë edhe për më të vegjlit, jo vetëm që do të vijojmë me këndet e lodrave, por vitin tjetër do të kemi fatin që të hapim Piramidën e Tiranës. Sot është koha e atyre që dinë të bëjnë programim, të punojmë me kompjutera, njohin atë lloj gjuhe të teknologjisë. Piramida do të presë çdo vit një bashkëpunim fantastik me Fondin Shqiptaro-Amerikan. Sapo firmosëm marrëveshjen e përbashkët dhe Piramida do të jetë shkolla pas shkolle. Për ju që jeni me thinja do të jetë pallati i pionierëve për kompjuterët. Për të gjithë çunat dhe gocat e njësisë 5 jam i sigurt do të kemi shumë talente”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kryebashkiaku bëri të ditur se shumë shpejt do të hapet edhe gara për të siguruar transport elektrik në Tiranë duke synuar uljen e ndotjes që shkaktojnë mjetet me naftë. “Ne do të kemi një vendim tjetër në Këshillin Bashkiak, ne do të hapim garën për linjën e transportit elektrik, kështu që besoj që edhe ajo do të ndihmojë sidomos në ato pjesë të linjës që është një miks midis Tiranës së Re dhe Unazës së Madhe, e cila do të kalojë në një pjesë të madhe në Njësinë 5 dhe besoj që edhe kjo do rrisë ndjeshëm jo vetëm cilësinë e ajrit, por edhe do shtojë frekuencën e mjeteve të transportit publik që kalon në këtë itinerar”, – u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Duke e cilësuar një vit të jashtëzakonshëm për projektet e realizuara në Tiranë, Veliaj tha se një nga investimet më të rëndësishme është edhe Parku Olimpik. Ai tha lajmin e mirë për qytetarët për rikthimin e pishinave, të cilat do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.

“Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën, edhe kur vjen puna te realizimi i shumë projekteve. Teksa jemi duke folur është duke mbaruar pjesa e Parkut Olimpik, godina e Federatës Shqiptare. Kanë filluar dy fushat e futbollit. Pra siç kemi basketbollin këtu te “Fethi Borova”, siç kemi Peshëngritjen dhe mundjen te “Mirjan Hakani”, ashtu do të kemi edhe fushat e federatës. Në vitin 2020, mbaron kontrata e qirasë për pishinat, i rikthehen Bashkisë së Tiranës, kështu që edhe ato do të bëhen pjesë e Parkut Olimpik. Dhe siç mbaroi qiraja te “7 Xhuxhat” e mori Bashkia prapë në administrim, sot dy kate parkim poshtë, kënd lodrash pa pagesë për fëmijët lart. Për të gjithë ata që thoshin, kullat, kullat, sot mjafton të shkojnë te 7 Xhuxhat. Çfarë është e Bashkisë iu kthye Bashkisë dhe iu hap publikut. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe me pishinat”, deklaroi Veliaj.