Mero Baze

Presidenti ynë ka nisur të hap llogoret e luftës.

Në fillim ka ftuar popullin shqiptar. Në një thirrje të pazakont në historinë e ndonjë Presidenti në botë, Presidenti ynë bëri thirrje për rrëmbim armësh dhe ka prodhuar më shumë “meme” humori se viktima. Mallkimi më I madh që e ndjek atë vitin e fundit, është pikërisht fakti që nuk e marrin seriozisht, as kur flet për luftë, as kur flet për paqe, as dekreton, as kur çdekreton, as kur bën si president që mbron shtetin, as kur bën si Haxhi Qamili.

Thirrja e tij për të rrëmbyer armët, vlen të shënohet vetëm në raportin për shkarkimin e tij në parlament, jo se nuk mjaftojnë argumentat deri më sot, por si një gjë që duhet dokumentuar.

Por pavarësisht injorimit që i bëjnë shqiptarët thirrjeve të tilla aluçinante, ato krijojnë klimë lufte dhe ndarje në llogore të shoqërisë shqiptare.

Roli kryesor kushtetues i Presidentit të një vendi është të jetë faktor uniteti dhe të bashkoj sa më shumë shoqërinë rreth interesit kombëtar dhe paqes sociale, dhe jo të fus sa më shumë shqiptarë në llogore lufte. Në këtë aspekt, thirrja e Ilir Metës për luftë, është më e dëmshme për krijimin e një klime ndarje në shoqëri, se sa si një rrezik për formimin e Çetës së Skraparit kundër qeverisë kuislinge të Edi Ramës dhe pushtesve aktual të Shqipërisë, si SHBA, BE, Gjermani, Itali, Britani e Madhe etj..

Pas jehonës qesharake, të thirrjes tragjike për luftë, Meta po ndërmer hapin e dytë, atë të futjes së ish Presidentëve dhe personaliteve të tjerë të shoqërisë në llogore.

E tillë është thirrja në një takim e gjithë ish Presidentëve të Shqipërisë. Në fakt si rregullë “pleqtë e urtë” thirren tu merret mendje për paqe, jo për luftë. Këtu nuk kemi as “pleqë të urtë” dhe as përpjekje për paqe, por thjeshtë nevojë që Ilir Meta të mos duket vetëm në çmendurinë e tij, por të bëj pis dhe të tjerët. Eshtë thirrje për ti futur ish presidentët e vendit në llogore.

Në fakt disa prej tyre janë në llogore. Sali Berisha e përfaqëson më shumë se sa vet Ilir Meta kauzën e për luftë civile në vend dhe nuk ka nevojë të thirret si “plak i urtë” në bisedime, pasi është një plak i çmendur që po vdes nga dëshpërimi që s’po i fut dot prap shqiptarët në luftë.

Ai është ish Presidenti që ka pasur sukses në vëllavrasjen mes shqiptarëve. Ndryshe nga Ilir Meta, ai në vitin 1997, nuk bëri thjesht thirrje “Rrëmbeni armët”, por i mobilizoi shqiptarët në Veri me armë në dorë kundër Jugut. Dhe vrau 3 mijë shqiptarë. Ai nuk ishte qesharak si Ilir Meta në atë që bëri, por barbar. Dhe ska nevojë ta thërrasësh në bisedime për këtë çështje, se është babai i vëllavrasjs në vend.

Për Buajr Nishanin nuk besj se ka njeri nevoj për mend në këtë vend, por Meta ka nevojë për një karrige të zënë nga një kapter që është gati çfarë do Komandanti.

Të tjerët janë president normal. Mund të shkojnë ose të refuzojnë në varësi të integritetit të tyre apo inateve politike, por çfardo shkuarje atje është ikje nga neutraliteti dhe serioziteti që duhet të ketë një ish president dhe futja në llogoren e një çmendine

E njëjta gjë janë ftesat e tij për ish ministra të drejtësisë apo personalitete të tjera. Ai nuk po i thërret ata nga nevoja për konsesues, por si rekrutë të një lufte personale, e cila me gjithë dëshirën e tij që të kthehet në një luftë vëllavrasëse, nuk po i ndez. Ashtu si thirrja “Rrëmbeni armët!”, edhe ftesat për “ish-ët” apo personalite të tjera, janë thirrje për tu futur në llogoren e Ilir Metës, ku ai e ndjen veten përditë e më shumë të braktisur, të injoruar dhe të përçmuar. Tani ka filluar ta besoj vërtet makthin e Allendes dhe mendon që kur “përmbaruesit” të shfaqen në oborr, të mos jetë vetëm.