Duke filluar nga e hëna, 17 shtator, të gjithë qytetarët e interesuar për regjistrimin e banesave të tyre të ndërtuara përpara vitit 1991, do të mund të fillojnë të paraqiten pranë sporteleve tona për të aplikuar dhe procedura do të kushtojë 8 mijë lekë për çdo kat ndërtimi, teksa për regjistrimin e pronësisë deri në 300 metra katror do të jetë pa pagesë.

Ingrid Konomi, nëndrejtoresha e ALUIZNI-t bëri të ditur gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se pas aplikimit qytetarët do të duhet të presin maksimalisht 30 ditë për të marrë një përgjigje, teksa të gjitha procedurat do të ndiqen nga ky institucion.

“Procesi i pronës mbetet një proces i rëndësishëm për ekonominë. Qeveria Shqiptare është përpjekur në maksimum ti japi avancë këtij procesi dhe kjo nisëm e fundit është një veprim përmbyllës në këtë drejtim të pronave të paluajtshme”, tha Konomi.

“Ajo çfarë pritet të ndodhi më 17 shtator, është që të gjithë qytetarët të cilat kanë një ndërtesë të ndërtuar para vitit 91, t’i drejtohen zyrave rajonale të ALUIZNIT për të nisur procedurat për regjistrimin e kësaj pasurie”, tha Konomi.

“Ka një format aplikimit të unifikuar, mund të gjendet në sportelet tona, mund të shkarkohet te E-Albania, apo pranë sporteleve të drejtorisë së ALUIZNIT. Kjo është për lethësin e atyre që nuk kanë mundësi të vijnë në zyrat tona. Qytetarët janë të ftuar të përdorin të gjitha dokumentet që kanë në dispozicion. Më pas është që e gjithë procedurë ndiqet nga drejtorit përkatëse të ALUIZNIT, ku i drejtohen terrenit për të bërë të gjitha veprimet procedural dhe verifikimet e nevojshme dhe më pas e shpallin rezultatin në njësinë vendore dhe tek zyrat e pasurive të paluajtshme”, u shpreh nëndrejtoresha e ALUIZNI-t.

“Kjo procedurë për të marrë një përgjigje fillestare duhen 30 ditë.Ka dhe një kosto ky proces, e cila i referohet pagesës, që ofrohet nga agjencia e ALUIZNIT, 8 mijë për çdo kat ndërtimi. Duhet të kemi të qartë që kjo shërben për të mbuluar të gjitha procedurat në terren etj etj, ndërkohë që vendimi thekson se regjistrimin i këtyre pasurive deri në 300 metra truall do të jetë falas, pra pa pagesë. Qytetarët pra tani nuk do sorollatën në zyra të ndryshme, por vetëm në një sportel ku do bëjnë aplikimin dhe do vijojnë procedurën”, theksoi Konomi për ATSH.

Në korrik 2018, Qeveria miratoi Vendimin 442: “Për regjistrimin e Banesave të ndërtuara para vitit 1991”. Ky Vendim i Këshillit të Ministrave, shërben si bazë ligjore për dhënien e dokumentit të pronësisë pronarëve të banesave të ndërtuara para vitit 1991, në të gjitha ato raste kur ky dokument mungon.
Qëllimi i këtij vendimi është të formalizojë një kategori pasurish të paluajtshme, të cilat edhe pse fizikisht ekzistojnë dhe zotërohen prej dekadash (herë-herë edhe prej shekujsh), pronarët e tyre nuk kanë pasur dokumentacion të mirëfilltë pronësie, duke mos i gëzuar asnjëherë ligjërisht. Numri i banesave që mendohet të trajtohen nga ky vendim është 40-60 mijë. Zbatimin e këtij vendimi dhe gjithë procedurën përkatëse, Qeveria ja ngarkoi ALUIZNI-t.

Duke filluar nga e hëna, 17 shtator, të gjithë qytetarët e interesuar për regjistrimin e banesave të tyre të ndërtuara përpara vitit 1991, do të mund të fillojnë të paraqiten pranë sporteleve tona për të aplikuar./ATSH