Ka ndodhur më 28 Shtator 1918, gjatë betejës pranë fshatit francez Markua.

Protagonist është 27-vjeçari britanik Henri Tandej, i cili pas kësaj beteje fitoi Kryqin e Viktorias, që bashkë me medalje të tjera, e bënë atë ushtarin më të dekoruar të Luftës së Parë Botërore.

Por gjatë betejës, një ushtar gjerman i plagosur dhe i paarmatosur, u gjend në vijën e zjarrit të Tandej. Megjithëse ai kishte qëlluar më herët me armë drejt tij, Tandej vendosi të mos e vriste. Ky akt dhembshurie, do të ndryshonte në fakt historinë e botës.

Pasi ushtari armik ishte pikërisht Adolf Hitleri.

Kryeministri britanik, Nevil Çamberlein, do ta mësonte për herë të parë këtë histori nga vetë goja e udhëheqësit nazist.

Në vitin 1938, Çamberlein shkoi në Gjermani për të siguruar një pakt paqeje me Hitlerin. Vizita e tij, përfshiu një qëndrim në rezidencën malore bavareze të Hitlerit, Berghof.

Ai pa rastësisht të varur në mur një pikturë, ku paraqiteshin ushtarët aleatë.

Çamberlein u habit nga kjo zgjedhje e pazakontë e Hitlerit, duke marrë parasysh poshtërimin që ndjeu Gjermania nga humbja që pësoi në Luftën e Parë Botërore.

Por Hitleri i tregoi në tabllo një ushtar britanik që mbante një shok të plagosur.

“Ky njeri po të donte mund të më kishte vrarë. Për një moment, mendova se nuk do ta shihja më kurrë Gjermaninë”- thuhet se i tha diktatori nazist kryeministrit britanik.

Hitleri pretendoi se e mësoi identitetin e Henri Tandej, pasi e pa këtë pikturë. Ushtarët në pikturë i përkasin regjimentit të Tandej “Green Howards”, i cili e porositi këtë vepër në vitin 1923 tek piktori i luftës Fortunino Matania.

Historia përmban prova faktike që e mbështesin këtë pretendim.

Një letër në arkivat e regjimentit, dëshmon se Fyhreri e kishte parë pikturën.

Gjithashtu adjutanti i Hitlerit, kapiteni Fric Vidman, duket se e konfirmon ekzistencën e një lidhje personale midis regjimentit të Tandej dhe diktatorit.

“Natyrisht, Fyhreri është shumë i interesuar për gjërat që lidhen me përvojat e tij të luftës. Ai u mallëngjye kur i tregova pikturën”- shkruan Vidman.

Por pavarësisht kësaj lidhje, biografi i Tandej, historiani Dejvid Xhonson, ka hedhur dyshime mbi vërtetësinë e takimit të pretenduar midis Tandej dhe Hitlerit.

Ai shprehet se ndryshe nga piktura, Tandej ishte i mbuluar me baltë dhe gjak, duke e bërë të vështirë kujtimin e asaj ngjarje.

Ndërkohë, ka gjithashtu edhe një mospërputhje datash. Përballja dyshohet të ketë ndodhur më 28 shtator 1918. Dokumente nga arkivat në Bavari, tregojnë se Hitleri ishte pushim midis datave 25-27 shtator. Për më tepër, regjimenti i Hitlerit ishte 80 km larg nga vendi i supozuar i takimit në Markua. A kishte gjasa që Hitleri të ishte ngatërruar? Apo e ka sajuar gjithçka?

Në rastin e Hitlerit, kjo ngjarje mund të mos i kapërcejë kufijtë e një miti. Dhe në fakt, takimi i pretenduar me britanikun Tandej, u bë pjesë e një narrative sipas së cilës ai ishte “I Përzgjedhuri”, për të udhëhequr popullin gjerman.

Në librin e tij “Mein Kampf”, Hitleri pretendon se një forcë hyjnore e vëzhgonte gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në një moment, një zë misterioz nga lart i tha atij të largohej menjëherë nga një llogore, e cila u godit nga një granatë vetëm disa momente më vonë, duke vrarë të gjithë shokët e tij.

Por përveç përvojave mistike të Hitlerit, ka probleme edhe në vërtetimin e dëshmisë së vetë Tandej.

Thuhet se kryeministri Çamberlein i telefonoi Tandej për të diskutuar mbi atë ngjarje. Por Henri Tandej nuk ndodhej në shtëpi, dhe në vend të tij u përgjigj i nipi. Por të dhënat e Telekomit Britanik, tregojnë se në atë kohë Tandej nuk kishte fare telefon në shtëpi.

Për më tepër, dihet që Çamberlein mbante shënimë të hollësishme për shumëçka, dhe kishte një koleksion të madh me letra. Por askund ai nuk e përmend çështjen Tandej.

Përkundër kësaj, Tandej e dëgjoi historinë nga një oficer, që nga ana tjetër e kishte dëgjuar nga Çamberlein dhe e pranoi se i kishte kursyer jetën disa ushtarëve gjermanë më 28 shtator, por nuk mund të konfirmonte nëse Hitleri ishte njëri prej tyre.

Kur gazeta “Coventry Herald” e intervistoi në 1939, ai tha: “Sipas tyre, unë jam takuar me Adolf Hitlerin. Ndoshta kanë të drejtë, por unë nuk e mbaj mend”.

Ndërkohë, në një intervistë dhënë një vit më vonë, ai dukej më i sigurt. “Sikur ta kisha ditur se çfarë do të ndodhte! Kur pashë të gjithë njerëzit, gratë dhe fëmijët që ai ka vrarë dhe plagosur, më erdhi keq që e lashë të më ikte”.

Ky është një citat, që disa e cilësojnë si një konfirmim të takimit të tij me Hitlerin. Sidoqoftë, ai ishte një reagim emocional ndaj bombardimeve të egra gjermane ndaj vendlindjes së tij, Koventrit.

Nuk mund të pohohet pa mëdyshje, se ky takim nuk ka ndodhur kurrë. Por ndoshta Tandej duhet të mbahet mend, për atë që bëri ai atë ditë shtatori të vitit 1918.

Teksa ndodhej nën zjarrin e ashpër të armikut, Tandej riparoi i vetëm një urë dërrase, duke lejuar kalimin dhe shpëtimin e regjimentit të tij. Pak më vonë atë ditë, ai drejtoi një sulm me bajoneta kundër një force më të madhe gjermane, që solli edhe kapjen rob të 37 prej shokëve të tij.

Henri Tandej, u përpoq më kot të regjistrohej si ushtar në Luftën e Dytë Botërore. Ndoshta për të patur një tjetër rast shans, për t’u përballur me Hitlerin.

Ai vdiq në vitin 1978, dhe u varros pikërisht në vendin ku supozohet se ndodhi takimi me Adolf Hitlerin, në fshatin francez Markua.