Pas ‘PO’-së së Gjermanisë për negociatat, Shqipëria i ka sytë nga Franca dhe Holanda, dy vendet e tjera skeptike nëse do të japin dritën jeshile. Për kryeministrin Rama asgjë nuk është e përfunduar, pavarësisht idesë së Presidentit francez dhe skepticizmit të Holandës. Ai thotë se nuk ka asnjë qëndrim të prerë kundër Shqipërisë për hapjen e negociatave.

“Presidenti francez e ka qëndrimin publik dhe nuk ka asgjë për të hamendësuar në këtë aspekt. Ai mendon se është koha për të reformuar BE-në dhe debati im është që ndërkohë që BE reformohet i duhet thënë mundësia edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë që të thellojnë reformat përmes procesit të integrimit.

Por e rëndësishme është që nuk varet më nga ne dhe cfarë kemi bërë ne, por nga një qasje e përbashkët e KiE-së ku duhet të krijohet konsensus, përndryshe një qasje e ndryshme e një vendi për interesa të ndryshme mund të pengojë vazhdimin e procesit. Me Gjermaninë e kishim pengesën e natyrës tjetër, por me durim, punë dhe fakte e tejkaluam”.

Po Holanda? “Nuk ka asnjë mundësi që të ketë një lobim efektiv për sa kohë janë qëndrime që nuk lidhen fare me Shqipërinë pavarësisht se kamuflohen me lloj lloj alibish dhe ku padrejtësisht cenohet Shqipëria në këtë rast. Janë qëndrime që lidhen me dinamika të brendshme. Unë them se asgjë nuk është e përfunduar, ne do të shikojmë deri në fund, pasi nuk shoh një qëndrim të prerë kundër mundësisë për një konsensus pozitiv që të na japë mundësi që procesin ta vijojmë formalisht edhe pse vijon, pasi që vjen jemi duke bërë me BE-në çka bëjnë vendet kur hapen negociatat” tha ai.