Partia opozitare përshëndet rekomandimin pozitiv ndaj Shqipërisë. Kryetari i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka përshëndetur rekomandimin e sotëm të Komisionit Europian për hapjen e negociatave. Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, Patosi shkruan se është një vendim i rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit, që është një përcaktim i qartë dhe i vendosur për aspiratën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve./l.m

Postimi i plotë- BINDJA DEMOKRATIKE PËRSHËNDET REKOMANDIMIN E KOMISIONIT EUROPIAN PËR SHQIPËRINË BINDJA DEMOKRATIKE e konsideron si një lajm të mirë për Shqipërinë rekomandimin e sotëm të Komisionit Europian për hapjen e negociatave. Ne e vlerësojmë atë si një stacion të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit, që është një përcaktim i qartë dhe i vendosur për aspiratën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

BINDJA DEMOKRATIKE falenderon Komisionin Europian për rekomandimin, duke besuar fort se kjo është në radhë të parë një fitore për Shqipërinë, e cila nuk ka pasur asnjë mëdyshje për rrugëtimin e vet drejt Brukselit. Në këtë kontekt, çdo përpjekje e qeverisë për ta privatizuar këtë arritje dhe për ta shitur atë si sukses vetëm të vetin, veçse do ta minonte dhe do ta prishte atmosferën e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për Shqipërinë.

BINDJA DEMOKRATIKE fton të gjitha forcat politike të vendit që ta lexojnë siç duhet dhe të nxjerrin detyrat dhe përgjegjësitë e veta në drejtim të përshpejtimit të hapave, që e afrojnë dhe e çojnë Shqipërinë më tej drejt Bashkimit Europian.