Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, është një nga 8 ministret nismëtare të një letre të dërguar ekzekutivit dhe parlamentit holandez me kërkesën për hapjen e negociatave.

E ftuar në Ditarin e orës 09:00, ministrja foli se pse u ideua një letër e tillë dhe çfarë kërkohet me te. Margariti theksoi se është shpresëplotë se Shqipëria do të shpërblehet më 18 tetor me çeljen e negociatave.

“Shqipëria ka bërë goxha punë të mirë edhe pse nuk mund të themi se kemi arritur perfeksionin, ka ene punë për të bërë. Me atë letër është ndërgjegjësimi që ne i kërkojmë Europës të përfshihemi në një proces negociatash. Ke bërë shumë punë, kemi arritur rezultate edhe në nivelin e qeverisë dhe i jemi drejtuar një shteti që ka krijuar një shëmbëlltyrë të tolerancës, të mirëqenies; jemi drejtuar si gra sepse besojmë në forcën e gruas në Shqipëri. Zëri i gruas po i kthen fytyrën Shqipërisë. Ne jemi rikthyer në vendin tonë për të bërë mirë këtu. Thjesht po kërkojmë që punën dhe entuziazmin e deritanishëm ta çojmë më tej me një çelje negociatash. Ky është një inkurajim për ne. Zëri i gruas është një zë i fortë në Shqipëri. Ne po kërkojmë që ky entuziazëm të hapë edhe rrathë të tjerë me çeljen e negociatave. Ne po kërkojmë që puna e bëra të mos shumëzohet me zero dhe të mos kanalizohet në zhgënjim. Lufta kundër korrupsionit është një betejë që zhvillohet në të përditshmen tonë dhe ka pasur hapa pozitivë. Po kemi gjithmonë e më tepër duke pasur në administrata persona profesionistë. Kemi persona që kanë studiuar jashtë dhe me ta po çojmë përpara gjëra të mëdha”.

“Po tregojmë një fytyrë të Shqipërisë së angazhuar, energjike. Jemi kaq shumë gra dhe ky është një aspekt për t’u mos nënvlerësuar. Mendoj se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë për të ndryshuar angazhimin e saj dhe mendoj se kjo do të shpërblehet”

“Është një nga nismat më të fundit të Ministrisë së Kulturës për të përfshirë pikërisht të rinjtë. Ne jemi këtu me të gjitha politikat për të krijuar një të ardhme më të mirë dhe këtë e bën edhe libri. Përballemi me sfida të mëdha, por kemi shfrytëzuar edhe faktin duke folur me gjuhën e të rinjve. Po e kthejmë këtë në një muaj diskutimi për librin”.