Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli deklaroi sot se Shqipëria e ka merituar plotësisht çeljen e negociatave, “pasi i kemi bërë detyrat e shtëpisë, ndërkohë do të vazhdojmë t’i thellojmë proceset integruese dhe reformatore”. E ftuar në një studio televizive, Kodheli tha se “nuk është faji ynë që ka një qasje tjetër të lidershipit europian për të pasur një Europë tjetër”.

Ne, tha ajo, “kemi qenë optimistë dhe kemi pasur pritshmëri të larta lidhur me hapjen e negociatave sepse vetë KE jep prej dy vitesh raport pozitiv për hapjen pa kushte dhe vetë KiE ka “premtuar”, që po presim zgjedhjet brenda strukturave”. “Ata që ‘fërkojnë barkun’ që negociatat nuk janë hapur sigurisht që nuk e duan këtë vend”, tha ajo.

“Ka pasur disa momente të vështira në historinë e tranzicionit, e humbëm trenin në vitin e mbrapsht ’97. Sjellja jonë, e klasës politike dhe e shoqërisë kanë sjellë nevojën e kalimit në disa reforma të thella, madje unikale që jo pakkush i bën”, tha ajo. Kodheli tha se “duhet të kuptojmë se ky proces skepticizmi i disa vendeve të Europës, duke përfshirë edhe Francën, ka ardhur sepse disa vende si Rumania dhe Bullgaria stopuan thellimin e reformave në kohën që hynë në BE”.

“Unë besoj fort në vullnetin e forcës politike që qeveris vendin se do të vazhdojmë reformat edhe në të ardhmen. Ne reformat nuk i bëjmë as për BE, as për të qenë të këndshëm në raport me ndërkombëtarët, por sepse duhet t’i bëjmë për shoqërinë shqiptare”, tha ajo. E pyetur mbi dorëheqjen e Zaev, Kodheli tha se “Maqedonia ka pasur një kusht: çështjen e emrit. Ajo ishte deviza dhe flamuri i kryeministrit Zaev. Ndryshimi i emrit sillte automatikisht hapjen e negociatave. Ndryshimi nuk u realizua. Ky binom i pandarë nuk ekziston në rastin e Shqipërisë”, tha ajo.