Vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë në qershor të vitit 2019 ka nxitur edhe reagimin zyrtar të Këshillit të Ambasadorëve të Shqipërisë, ku bëjnë pjesë diplomatë dhe intelektualë të njohur.

Përmes një deklarate ata theksojnë se publiku duhet informuar drejt, pasi qershori i vitit 2019, i skeduar si stacion nga KE, nuk do të thotë çelje automatike e negociatave.
Deklarata e plotë e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë:

Në mbledhjen e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, të zhvilluar në Luksenburg më 26 qershor, u gjet një rrugë e ndërmjetme për t’iu përgjigjur propozimit të Komisionit Europian lidhur me çeljen e negociatave me Shqipërinë për antarësimin në këtë Bashkim. Në dokumentin e hartuar me këtë rast për t’iu paraqitur Këshillit Europian, i cili mblidhet më 28 e 29 qershor, thuhet: “Këshilli pajtohet që t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave për antarësim në qershor 2019”.

Ky është pa dyshim një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, të cilët e shohin vendin e tyre një hap më pranë çeljes së negociatave për integrimin në Bashkimin Europian. Por nuk është vendosur aspak hapja automatike e negociatave në qershor të vitit të ardhshëm. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje gjithë klasës tonë politike e posaçërisht qeverisë ta lexojë me seriozitet dokumentin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe ta informojë drejt opinionin publik. Ajo çka përbën lajm të mirë sivjet është se vitin e ardhshëm nuk do të jetë më i nevojshëm një rekomandim i ri nga ana e Komisionit Europian. Dhe ky është hapi përpara në këtë proces, i vogël, por që ka rëndësinë e tij për t’u marrë parasysh. Vendimi përfundimtar, mbetet përsëri për t’u marrë nga Këshilli Europian.

Është e vërtetë se nuk pati kushte të reja për t’u përmbushur nga Shqipëria gjatë 12 muajve që kemi përpara. Por pati një ritheksim, me një forcë të re, të kushteve të përcaktuara gjatë viteve të fundit. Në gjykimin tonë, kjo e bën problematikën edhe më të mprehtë, sepse tregon që vendet antare të BE-së kanë arritur në përfundimin se Shqipëria nuk i ka përmbushur detyrat e mëparshme. Është e qartë se pa përmbushjen e këtyre detyrave nuk ka çelje të negociatave. Përmbajtja e këtyre detyrave është çështje e zhvillimeve të brendshme dhe jo e diplomacisë. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje gjithë klasës tonë politike e në mënyrë të veçantë qeverisë të heqë dorë nga retorika e zbrazët polemizuese për t’u përqendruar konkretisht te reformat e kërkuara dhe te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Humbja edhe vitin e ardhshëm e shansit që vendimi për çeljen e negociatave do të ishte një goditje shumë e rëndë për aspiratën tonë europiane. Ashtu siç kujtoi me të drejtë Presidenti i Republikës me këtë rast, “një vit kalon shume shpejt”. Nuk ka kohë për të humbur.j.j