Kur dëgjon Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe njerëzit afër tij që të deklarojnë se kanë dalë nga sistemi pikërisht sepse me Edi Ramën kryeministër nuk bëhen zgjedhje, më e pakta që mund të thuhet është “fali zot se nuk dinë çfarë bëjnë”.

Dhe artikulime të tilla publike lidershipi i PD dhe LSI i bëjnë pikërisht në ditën e 26 majit, në 23 vjetorin e saj, ditë që ka hyrë në historinë e zgjedhjeve por dhe politikës shqiptare si dita me e zezë e saj.

Nuk mund të akuzojmë Lulzim Bashën për këtë gjë, pasi ai në atë kohë thjeshtë dhe vetëm një çunak që sapo kishte nisur shkollën në Holandë, të cilën nuk e mbaroi kurrë.

Basha ishte thjeshtë një konsumator i parave të familjes, të fituara me “mund dhe djersë” nga firmat piramidale, më konkretisht nga “Vefa Hollding”, pronarin e të cilit Vehbi Alimuçën e kushin njeriun e tyre.

Madje dhe Klevis Balliu, i cili ka qënë i vogël në atë kohë dhe pavarësisht ndonjë “leksioni” të babait të tij Fahri Balliu, e shumta që mund ta dëgjojë të atin deri në fund është për ti dhënë ndonjë lek, pasi tani që nuk është në Kuvend, është i papunë.

Monika Kryemadhi duhet ta mbajë mend mirë 26 majin e vitit 1996, ku policia e Agim Shehut, SHIK i Bashkim Gazidedes, vodhën votën, rrahën të gjithë komisionerët e PS dhe opozitës dhe në orën 11.00 të ditës së votimit më 26 maj, 90 përqind e tyre ishte nxjerrë jashtë qendrave të votimit.

Ndërkohë që ishin rrahur paq të gjithë udhëheqësit e opozitës, Presidenti i asaj kohe Sali Berisha kërkonte shumicë kushtetuese për t’u zgjedhur në krye të shtetit dhe për një mandat të dytë, opozita e atëhershme me kreun Fatos Nano në burg politik, tërhiqet në darkë nga zgjedhjet.

Historia tashmë dihet, rezultatet ishin katastrofike, në Cërrik kandidati i PD mori mbi 130 përqind të votave, PD fiton në Kuçovë dhe Tepelenë me kandidatët e saj.

Perversiteti arriti deri atje sa jo vetëm mbushën kutitë e votimit pa kriter, por ngatërruan dhe kutitë e gatshme, bahskë me procesverbalet e gatshme të rezultatit përfundimtar.

Në vend që të dërgonin kutitë me votat gati për të ndjerin Ylli Vejsiu në periferi të Tiranës, ngatërrohen në furgonin e policisë dhe mbërrijnë në Lezhë në zonën e kandidates së PD, Roza Pati. Ndërsa të Rozës, filluan të “numërohen” për Yllin në Allias.

Dhe opozita, vetëm dy ditë më vonë, hyri në grevë, duke dalë në protestë masive më 28 maj, ku Sheshi “Skënderbej” ishte privatizuar nga Berisha dhe nuk lejohej askush tjetër të tubohej aty.

Këtyre të rinjve të sotëm në politikë dhe media mund t’ju duket habi se si Sali Berisha, njeriu që deklaronte e deklaron se solli demokracinë nuk lejonte opozitën të protestonte në sheshin qëndror të kryeqytetit, por vetëm në “Ali Demi” dhe tek fusha e stërvitjes te “Dinamo”.,

Tentativa e liderëve të opozitës, të cilët pasi çanë rrethimin e policisë, SHIK-ut dhe forcave të tjera të sigurisë së Berishës, u “shpërblye” me një dhunë të tmerrshme ndaj tyre.

Nuk u kursyen Servet Pëllumbi drejtuesi i opozitës me Nanon në burg, Namik Dokle, Skënder Gjinushi, Erjon Braçe, Arben Imami, Arta Dade, Ndre Legisi, Blendi Gonxhe dhe shumë të tjerë që mbeten të “këputur në mes” nga dhuna ekstreme e policisë dhe SHIK-ut.

Ndërsa për “fatin” e tij të mirë “shpëtoi” pa u rrahur Ilir Meta, i cili ishte dhe ai numri 2 i PS dhe shef i marrëdhënjeve me jashtë në këtë parti, si dhe kishte drejtimin e FRESSH.

Ishte i ri, por i “zgjuar” dhe shpëtoi, ndërkohë që Imamit i eci për mbarë thyerja e dhëmbëve të parë në komisariatin numër 2, sot Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Ndërsa gazetarët vendas e të huaj u dhunuan pa kriter, ku Bardhok Lala i “Dita Informacion” u dhunua barbarisht dhe u la për i vdekur në Sauk, dhe falë një familjeje të mirë dibrane e ka jetën dhuratë nga zoti.

Reprezaljet e policisë dhe të SHIK-ut vijuan me të njejtin intensitet, dhe nuk dihet sa kanë përfunduar të sakatuar dhe të shkatërruar fizikisht e mendërisht, pasi nuk kishte rrjete sociale sikurse ka sot që të merren vesh gjërat nga zyra, pa luajtur fare.

Dhe pas gjithë kësaj dhunë të ushtruar plot 26 vite më parë qëndonte Sali Berisha, i cili instaloi për herë të parë sistemin e vjedhjes së votës me polici, SHIK dhe të fortët e lagjeve, përfshirë dhe njerëzit e krimit dhe të liruarit nga burgu.

Ndërsa sot, është pikërisht Berisha që ngre më shumë zërin për “dhunën e Edi Ramës”.

Përtej 26 dhe 28 majit, dhuna dhe vjedhja e votës përmes saj ishte projektuar shumë para zgjedhjeve, pikërisht kur diskutohej për reformën zgjedhore.

Besojmë se Tritan Shehu asokohe me shumë detyra në kurriz, e mban mend mirë debatin e “jashtëzakonshëm” për komisionet zgjedhore për…vendosjes anëtarëve të komisionit, debat që u zhvillua në katin e tretë të Pallatit të Kongreseve.

Mirë që mazhoranca kishte kryetarin, nënkryetarin, sekretarin tepër gjithçkaje, ndërkohë që anëtarë kishte sipas përqindjes së votave të marra në mars 1992, por komisioni në tavolinë duhej të vendosej në mënyrë të atillë, që anëtarët e opozitës të mos e shihnin votën e numëruar.

Ishte një debat që zgjati plotë një javë vetëm për mënyrën e vendosjes së anëtarëve të komisionit në tavolinë, thjeshtë dhe vetëm që opozitës ti zihej “rrezja” e shikimit.

Tritani nuk cedonte, e quante skandal daljen e ndonjë anëtari të opozitës afër kreut të të tryezës.

Autori kryesor i kësaj masakre elektorale ishte Sali Brisha, i cili për çudi sot është njëriu që ngre më shumë zërin për dhunimin e zgjedhjeve nga kjo mazhorancë.

I përmendëm këto detaje dhe fakte të rënda të zgjedhjeve të majit 1996, për të treguar për politikanët dhe gazetarët e rinj që debati i sotëm është si të diskutosh për “seksin e ëngjëjve”./M.Nikaj