Zhvillimi i procesit konkurrues për miratimin e ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë nga hidrocentralet do të kalojë nga Këshilli i Ministrave, i cili do të shërbejë si arbitër për mosdiskriminimin dhe transparencën e procesit. Bëhet fjalë për ato hidrocentrale që janë deri në 2 megavat dhe që sipas një vendimi më të hershëm nuk klasifikohen si konceisone dhe mund të kalojnë vetëm me firmën e ministrit. Ndyrhsimet janë bërë në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” i miratuar në vitin 2015 dhe që është nxjerrë për konsultim së bashku me një sërë ndryshimesh të tjera. Sipas ligjit sot në nenin 49 saksionohet se ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese, të cilat nuk janë objekt koncesioni, ose çdo kapacitet i ri prodhues deri në 2MW, miratohet nga ministri përgjegjës për energjinë. Ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese mbi 2 MW, të cilat nuk janë objekt koncesioni, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për energjinë.

Në pikën dy të këtij neni thuhet se Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për energjinë, miraton rregullat dhe procedurat për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, mbi baza transparente dhe jodiskriminuese, bazuar në: a) sigurinë e sistemit të energjisë elektrike, instalimeve dhe pajisjeve të lidhura me to; b)mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë publike; c) mbrojtjen e mjedisit; ç) përdorimin e truallit dhe vendndodhjen; d)efiçencën e energjisë;dh) natyrën e burimeve parësore të energjisë; e) karakteristikat e veçanta të aplikuesit, të tilla si aftësitë teknike, ekonomike dhe financiare; ë)përputhjen me masat e marra për shërbimin publik dhe mbrojtjen e klientëve; f) kontributin e kapacitetit prodhues në përmbushjen e objektivit për energjinë që duhet të prodhohet nga burimet e rinovueshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi; g) kontributin e kapacitetit gjenerues në reduktimin e emetimeve të gazrave të efektit serë; gj) shitjen e energjisë elektrike; h) vlerën e tarifës që do të paguajë në favor të shtetit përfituesi i autorizimit.

Pikërisht në fund të pikës “h” është shtuar edhe pika tjetër ‘i’i që cilëson se edhe zhvillimi i procesit konkurres do të kalojë nga qeveria.

Nga viti 2017 kur hyri në fuqi vendimi që përjashtonte hidrocentralet deri në 2MW nga konceisonet tipike dhe që jepeshin vetëm me firmën e ministrit vërshuan një numër i madh aplikimesh teksa nga ana e eskpertëve theksi u vu në faktin që impakti i tyre ekonomik ishte i dobët në raport me dëmin që shkaktonin në mjedis.

Ndarja e OSHEE, vendosen kufijtë për funksionimin e kompanive

Projektligji i nxjerrë për konsultim sjell edhe ndryshimet që lidhen me mënyrën sesi do të funksionojë OSHEE e cila përveç kompanisë mëmë tashmë ka tre kompani të tjera nën vete me funksione të qarta. Në nenin 72 është riformular pika 3 e cila sanksionon se “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes duhet të ketë të drejta efektive të plota vendimarrëse, të pavarura nga shoqëria e integruar e energjisë elektrike, lidhur me asetet e nevojshme për funksionimin, mirëmbajtjen ose zhvillimin e rrjetit të Shpërndarjes.

Për të përmbushur këto detyra, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes duhet të ketë në dispozicion burimet e nevojshme, përfshirë burimet njerëzore, teknike, fizike dhe financiare.

Shoqëria mëmë (kontrolluese), ka të drejtën e mbikëqyrjes ekonomike dhe menaxheriale në lidhje me kthimin e aktiveve, miratimin e planit ekonomik financiar, ose çdo instrument ekuivalent, të operatorit të sistemit të shpërndarjes, dhe të vendosë kufijtë e përgjithshëm në nivelet e borxhit të shoqërisë bijë (të kontrolluar) .

Shoqëria mëmë (kontrolluese), nuk mund të japë udhëzime për veprimtarinë e përditshme operacionale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë dhe nuk ka të drejtë të marrë vendime lidhur me ndërtimin apo rikonstruksionin e linjave të shpërndarjes, vlera e investimit të të cilave nuk tejkalon nivelet e planeve financiare të miratuara apo vlerat e përcaktuara në statutin e shoqërisë, apo legjislacionin në fuqi”.Monitor