Në datë 22 korrik socialistët do të mbledhin Asamblenë Kombëtare. Data është vendosur në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PS-së që u zhvillua në orën 10:00, ndërsa u drejtua nga kryeministri Rama.

Pas mbledhjes së kryesisë së PS-së në një prononcim për gazetarët, kryeministri tha se nuk do të ketë ndryshime në qeveri, pasi detyrat janë bërë. Kreu i qeverisë tha se nuk ka pasur asnjë plan për të eliminuar opozitën, sepse ajo “është në kapacitete të plota për tu vetëeliminuar”, siç Rama u shpreh.

“Procesi i degradimit vijon në një rrugë që e kanë zgjedhur vet qorrazi. Ajo që është e rëndësishme për ne është t’i qëndrojmë besnik të gjithëve, edhe atyre që u votuam edhe ata që nuk na votuan”, the kryesocialisti.

Ka një emër për president konsensual? Rama tha se kjo nuk është në rendin e ditës. “Lëvizja e radhës është procesi që ka filluar në parlament për shkarkimin, pastaj do të flasim për lëvizjen tjetër”, tha kryeministri,

Pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, Rama deklaroi se pas takimeve dhe analizës në cdo qark për votat do të mbahet edhe asambleja brenda korrikut për të dalë në konkluzione për atë që ka ndodhur.

Në shtator do të ketë zgjedhje brenda Partisë Socialiste, por detajet do të caktohen në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.

Në asamble përpos analizës për zgjedhjet, pritet që të ketë ndryshime në strukturat e partisë, por nuk dihet nëse një gjë e tillë do të ndodhë në kabinetin qeveritar.

Partia Socialiste fitoi 61 bashkitë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat nuk njihen nga Presidenti dhe opozita që i bojkotoi, por morën certifikimin e ndërkombëtarëve që kërkuan që kryetarët e rinj të nisin punën pa humbur kohë.