Formacioni i parë i Liverpoolit për ndeshjen e së dielës do të jetë pothuajse plotësisht i ndryshëm nga 11-shja që ishte përballur me Tottenhamin, në ndeshjen e parë të Jurgen Kloppit si trajner i Liverpoolit.Më 17 tetor të vitit 2015, Jurgen Kloppi e drejtoi për herë të parë Liverpoolin në ndeshjen kundër Tottenhamit White Hart Lane, e cila përfundoi me rezultat 0:0.

Rezultati i ndeshjes ia solli Simon Mignoletit ndeshjen e tij të 13-të që e mbajti portën e paprekur në ndeshjet e atij sezoni të Premierligës, më shumë se çdo portier tjetër. Megjithatë, tani, tre vjet e katër muaj më vonë, ai është vetëm opsion i dytë për pozitën e portierit. Asnjëri prej mbrojtësve që ishin titullarë në atë ndeshje nuk do të kenë rol të rëndësishëm në ndeshjen e kësaj fundjavë, përsëri kundër Tottenhamit, por këtë herë në Anfield. Nathaniel Clyne është i huazuar në Bournemouth, ndërsa Martin Skrtel dhe Mamadou Sakho janë shitur në Fenerbahçe dhe Crystal Palace. Alberto Moreno ishte titullar në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë, por Andrew Robertson do ta mbajë këtë pozitë për ndeshjen e së dielës. Në formacionin e parë të Liverpoolit për këtë fundjavë do të ketë edhe ndryshime të tjera. Emre Can (Juventus_ dhe Lucas Leiva (Lazio) janë transferuar në Itali, ndërsa Philippe Coutinho është shitur në Barcelonë për 165 milionë euro.

Vetëm Adam Lallana ishte titullar në të dyja ndeshjet, edhe në ndeshjen e parë të Kloppit, edhe në të fundit, fitoren 2:1 kundër Fulhamit. James Milner dhe Divock Origi u inkuadruan në ndeshjen e fundit të Liverpoolit, kundër Fulhamit, nga pjesa e dytë, si dhe ishin titullarë në ndeshjen e vitit 2015 kundër Tottenahmit. Lojtarë si Virgil Van Dijk kanë ardhur për ta përforcuar skuadrën e Liverpoolit dhe holandezi nuk është i vetmi lojtar i cili është transferuar së fundi në Anfield për një shumë të madhe parash.

Që nga emërimi i Kloppit në pozitën e trajnerit, Liverpooli i ka shpenzuar 445,8 milionë euro për transferimin e lojtarëve të rinj, edhe pse një pjesë e madhe e kësaj shumë u kompensua prej shitjes së Coutinhos në Barcelonë. 87 milionë eurot që Liverpooli i shpenzoi për ta transferuar Van Dijkun nga Southamptoni mbetet shuma më e lartë e paguar për ndonjë mbrojtës. Ai është njëri ndër lojtarët favoritë për ta fituar çmimin për futbollistin më të mirë të sezonit në Premierligë.

Ndryshimet në skuadrën e Liverpoolit janë plotësisht e kundërta me atë që ka ndodhur në Tottenham, ku ka mungesë të transferimit të lojtarëve të rinj. Tetë prej 11 lojtarëve që pritet të jenë titullar për ndeshjen e së dielës kishin qenë titullar edhe në atë ndeshje të vitit 2015. Vetëm Nacer Chadli, Kyle Walker dhe Mousa Dembele janë larguar. Në vend të tyre pritet të luajnë Davinson Sanchez, Moussa Sissoko dhe Heung-Min Son.