Përfaqësitë diplomatike në Tiranë i janë përgjigjur thirrjes së kryetarit të bashkisë së Tiranës për të kontribuar me ndihma për familjet e dëmtuara nga tërmeti dhe përmbytjet.

“Kemi sot tre trailerat e parë; një përgjigje e menjëhershme e Ambasadës së Kuvajtit, popullit kuvajtjan, qeverisë kuvajtiane. Na kanë sjellë nevojat bazë të emergjencës si batanije dhe ushqime, teksa jemi duke ndërtuar shtëpitë e dëmtuara. Ambasada e Kuvajtit na ka ndihmuar edhe për pjesën pas ndërtimit të shtëpive, pra përveç se do ndërtojmë disa shtëpi bashkë, kemi marrë edhe elektro-shtëpiaket, lavatriçe, frigoriferë, shumë pajisje, që disa prej këtyre familjeve, që janë me ndihmë ekonomike, as nuk i kanë pasur ndonjëherë, me shtëpi të ndërtuara në vitet ‘50-’60 me mjete rrethanore, me gurë, baltë, kashtë e kallamishte”, u shpreh Veliaj.

Veliaj ka kërkuar edhe nga përfaqësi të tjera duke evidentuar edhe mungesat që kanë sot bashkitë për të përballuar fatkeqësitë natyrore siç janë autobotet apo shkallët e zjarrëfikseve.

“Shpresoj shumë që edhe shumë ambasada të tjera, të cilave u kemi kërkuar ndihmë, të na japin një dorë. Ditët dhe javët e para kemi nevojë për ndihmë konkrete, sa të rimëkëmben shtëpitë, dhe më pas edhe për një ndihmë afatgjatë. Kemi nevojë shumë për zjarrëfikëse, për bote, për shkallë, që janë kryesisht proceset kryesore të evakuimit, zjarrfikëse-shkallë, për të shpëtuar njerëzit, dhe zjarrfikëse bote, kryesisht për të përdorur motopompën e tyre të ujit, kur kemi raste përmbytjesh, siç ndodhi kësaj here”, tha kryebashkiaku.

Top Channel