Shqipëria u mund dje minimalisht 1-0 vetëm nga një gol në momentet e fundit nga Turqia, ndërkohë që “Panorama Sport” ju sjell notat për lojtarët e Kombëtares si dhe trajnerin Edi Reja.

STRAKOSHA 5 – I vëmendshëm gjatë ndeshjes, duke evituar çdo rrezik që iu kanos portës së tij. Por gabon fatalisht në minutën e 89-të, duke mos u marrë vesh me Ismajlin. Një gabim dëshpërues që i hidhëroi të gjithë.

ISMAJLI 5 – E nis me ndonjë pasiguri të vogël në fillim, por më pas e rrit nivelin. I zoti me kokë dhe në leximin e aksioneve. Deri në minutën e 89-të… Pastaj ajo mosmarrëveshje me Strakoshën e penalizon tej mase.

DERMAKU 6,5 – Një karton i verdhë i evitueshëm që në start ia kushtëzon ndeshjen, por më pas fiton siguri dhe bëhet padron i zonës së tij. I ashpër në markim dhe i vëmendshëm. E kupton që turqit janë të shpejtë dhe në pjesën e dytë thjesht i pret, pa shkuar shumë larg zonës.

GJIMSHITI 6,5 – Luan me zgjuarsi dhe me dinakëri. Jep shkelma dhe bërryla për çdokënd që kalon në anët e tij dhe shtyn përpara më tepër se Lenjani ndonjëherë. Autoritar dhe i besueshëm. Në rritje.

VESELI 6,5 – Një start i ndrojtur, por është i saktë taktikisht. Ia del mirë edhe kur shtyn përpara, por shokët i besojnë pak dhe ia japin shumë rrallë topin. Në krahun e tij turqit nuk rrezikuan asnjëherë. Mbresëlënës.

GJASULA 6,5 – Lirshmëri në veprime dhe tendencë për t’i kapur rivalët gjithnjë në kundërkohë me pasime të rrufeshme drejt Cikalleshit. Në pjesën e parë nuk është shumë i saktë kur kërkon të nisë manovra sulmuese, ndërsa në të dytën transformohet dhe përveçse bëhet një digë e pakalueshme, arrin të shërbejë më mirë.

BARE 5,5 – Një karton i verdhë për një kapriço që ia prish humorin. Më pas e ka të vështirë t’i shpëtojë mbulimit të ashpër të vendësve dhe ka pak kontakte me topin. Vështirësi të mëdha gjatë pjesës së parë për të bërë rolin e regjisorit. Më mirë në pjesën e dytë.

MEMUSHAJ 5 – Nuk ishte dita e kapitenit. Turqit e markojnë më ashpër se të gjithë dhe ai nis të bëhet nervoz. E tepron me mbajtjen e topit në këmbë dhe është pak i kthjellët edhe kur e ka sferën. Bie ndjeshëm në të dytën dhe humb topa të rrezikshëm. Shumë sakrifica, pak rendiment (Nga min. 72 Abrashi 6 – Hyn në fushë dhe nis të bëjë “pit bullin”. Një karton i verdhë nuk ia ndal vrullin, por i jep frymëmarrje një mesfushe që po binte gradualisht në aspektin fizik.).

MANAJ 5 – Një ndeshje e luajtur me zemër dhe e luftuar deri në sekondën e fundit, por rastet e shpërdoruara e penalizojnë. Shumë shqiptarëve u ka dalë në ëndërr mbrëmë ai rast i humbur me portën bosh në minutën e 75-të pas pasimit të Roshit. Nuk ishte një mbrëmje për t’u hedhur poshtë, por pa dyshim nuk ishte as mbrëmja e tij.

CIKALLESHI 6 – Lufton si dem për çdo top të parë dhe mban nën tension turqit çdo sekondë. Mori vetëm një pasim për gol dhe atë nuk e shfrytëzoi. Mund të përmirësohet në spondat që bën për shokët. Shqipëria në ndeshje të tilla ka nevojë që dikush ta mbajë topin të paktën 3 sekonda që të zhvendoset para (Nga min. 84 Balaj – Pa notë. Shumë pak minuta në dispozicion.).

TRAJNERI EDI REJA 6,5 – Nuk ishte kjo dhurata që priste për ditëlindje, por nuk mund të qortohet për asgjë. Skuadra ka ndryshuar, lufton me ide të qarta dhe krijon raste. Nuk është faji i tij nëse Manaj nuk e çon dot topin në rrjetë dhe as që Strakosha me Ismajlin nuk merren vesh mes tyre kur ndeshja pothuajse ka mbaruar.