Reforma zgjedhore që pritet të miratohet në shtator, mund të sjellë edhe zbulimin e spiunëve në politikë. Deri më tani është folur shpesh që Kuvendi i Shqipërisë ka qenë i mbushur me spiunë që kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, por asnjëherë nuk ka pasur një verifikim për ta.

Në shtator pritet të nisë fuqishëm puna e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që, përveç ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe depolitizimit të komisioneve zgjedhore, debat pritet të shkaktojë edhe verifikimi për ish-Sigurimsat. Aktualisht, ligji nuk e ka detyrues nisjen e verifikimit për një individ nëse ka ose jo lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit dhe për pasojë shumë politikanë i janë shmangur verifikimi të figurës.

Por Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po përgatitet për ndërhyrje në ligjin aktual, me qëllim që verifikimi i politikanëve të jetë i detyruar. Gazeta “Sot” kontaktoi ditën e djeshme me anëtarin e AIDSSH, Simon Miraka, i cili pohoi se në shtator, kur të nisë puna e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore do të paraqisni draftin, në mënyrë që të gjithë politikanët të futen në skaner dhe të mos ketë më shmangie, sikundër ka ndodhur gjatë këtyre viteve post komunizmit.

“Po punojmë për projektligjin dhe presim që në shtator kur të nise sesioni i ri parlamentar ta prezantojmë te Komisioni i Ligjeve”, deklaroi Miraka.