Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi rreth rritjes së konflikteve kibernetike në internet dhe sistemeve kompjuterike.
“Nuk do të ketë më një konflikt pa dimensionin e tij kibernetik në të ardhmen,” u shpreh Stoltenberg për median Gjermane Funke.

“NATO është e përgatitur për skenare të tilla por ende duhet të bëjmë më shumë,” vijoi Stoltenberg.

Ai i quajti sulmet kibernetike një rrezik serioz dhe i vazhdueshëm. Ai tha se “infrastruktura kritike të energjisë, sektorit financiar si dhe institucionet shëndetësore dhe demokratike janë në rrezik dhe tashmë kemi përjetuar sulme të ngjashme.”

Stoltenberg tha se sulme të tilla mbi një vend anëtar të NATO do të merrte përgjigjen e përbashkët të të gjitha vendeve.

“NATO ka vendosur që një sulm kibernetik ndaj një vendi anëtarë mund të çojë në përgjigjen e mbarë aleancës. Të tilla sulme ka po aq kosto sa edhe humbja e jetëve në sulme të tjera,” vijoi Stoltenberg.