Kryetari i Partisë Demokristiane, njëherësh ish-deputet i dalë nga listat e PD, Nard Ndoka, është shprehur se sipas informacioneve konfidenciale të tij nga CDU, Merkel do t’i kërkojë Ramës të negociojë me opozitën.

“Me ato informacione që kam unë, për faktin që jemi pjesë e familjes europiane kristiandemokrate dhe unë kam lidhje të ngushta me CDU-në gjermane, unë kam një informacion, që besoj se është konfidencial, por që besoj se do të jetë edhe publik se Merkeli do t’i kërkojë zotit Rama negociata me pjesën e opozitës, përgjegjëshmëri për situatën politike, dialog. Kjo do të jetë edhe kryefjala e takimit”, – tha Ndoka në studion e Syri.net, portalin e Zenit.

Sipas tij, Vëmendja në këtë takim do të jetë tek kriza politike, ndërsa nuk përjashtohet ndonjë ‘goditje’ për hapjen e negociatave.

“Do të jetë një vëmendje e veçantë për krizën, mund të ketë dhe një goditje, ndoshta të drejtpëdrejtë e jopublike edhe për pjesën e hapjes së negociatave; ka një tendencë për ta përjashtuar edhe Maqedoninë e Veriut tashmë nga pjesa e asaj axhende bashkë me Shqipërinë. Kjo do të jetë një goditje jo e vogël jo për vetë Ramën, por për vendin. Kjo është më e rëndësishme. Pra, zoti Rama përballet me shumë problematika dhe në aspektin ndërkombëtar”,– tha Ndoka.

Kujtojmë se Lulzim Basha, në intervistën për mediat slloveve, për të cilën gojet e “liga” thonë se është realizuar në selinë e PD nga zyrat e shtypit e kësaj partie, kishte një pyetje befasuese dhe brilante.

Po e citojmë pa asnjë korrekturë pyetjen e bërë në drejtim të Bashës nga “slloveni” i selisë së PD: “Ju po bashkëpunoni ngushtë me Donald Tramp, megjithëse ai e ka vlerësuar Bashkimin Europian si kërcënim për SHBA?”.

Ndërsa sot “shpërthen” Nard Ndoka që ka informacion të “dorës së parë” nga Merkel.