Fitorja me ‘poker’ golash ka risjellë shpresë te kombëtarja shqiptare pavarësisht se kundërshtari, Moldavi, ishte modest. Edhe pse shpresat për kualifikim janë shuar ajo që entuziazmon është loja dhe mesazhet që po transmeton kombëtarja shqiptare. Padyshim që merita më e madhe për këtë është e trajnerit Edy Reja, i cili më herët e ka thënë hapur së dëshiron të qëndrojë te kuqezinjtë përtej nëntorit, kohë kur përfundon kontrata.

“E kam thënë se më pëlqen ta vazhdoj punën me këtë skuadër. Për këtë çështje duhet të flasë edhe presidenti, por unë jam i lumtur nëse vazhdoj me Shqipërinë. Skuadra më jep stimuj, dua të vazhdoj këtë aventurë, sepse mendoj se jemi në rrugën e duhur,”-deklaroi Reja më 13 tetor para ndeshjes me Moldavinë.

E reja në këtë situatë është se edhe presidenti Duka pas ndeshjes me Moldavinë e ka thënë hapur se po punon që të zgjatet kontrata me Edy Reja-n. Sipas numrit 1 të federatës me italianin shumë shpejt do të diskutohet projekti i së ardhmes.

Atmosferën pozitive në kombëtare e tregon më së miri edhe kjo video e publikuar nga FSHF pas ndeshjes me Moldavinë.Në dhomat e zhveshjes trajneri Reja ka mbajtur një fjalim motivues.

“Pavarësisht se tifozat iu thërrasin emrin, jeni ju ata që e keni arritur të ndërtoni këtë grup kaq të mirë. Si ju këtu edhe stafi që punon mbas trajnerit. Ju përgëzoj dhe ju falenderoj të gjithëve. Merita është vetëm e juaja. Unë kam 35 vite që e bëj këtë punë, nuk kam nevojë të marr merita apo të më lavdërojë dikush.

Merita është gjithmonë e juaja sepse keni bërë një punë të shkëlqyer. Nëse do kishim fituar ndaj Turqisë, do shkonim në Europë. Duhet të kishim 4 pikë më shumë. 3 me Turqinë dhe 1 me Islandën. I kemi bërë të gjitha ndeshjet mjaft të mira, Turqisë i treguam se kush jemi, ndërsa Franca është Francë, nuk ka vend për diskutim. Kemi zemër,”-u shpreh Reja.

Ndeshjat e radhës së Shqipërisë janë me Francën më 14 nëntor, sfidë me të cilën do të inaugurohet edhe Arena Kombëtare, ndërsa tre ditë më pas eliminatoret do të mbyllen me ndeshjen kundër Andorës, po në Tiranë.