“San Siro” është gati për një mbrëmje të madhe futbolli. Interi pret Barcelonën duke nisur nga ora 21:00 me synimin e vetëm kualifikimin për në 1/8 e Champions. Mungon Messi por kjo nuk e zbeh rëndësinë jetike të këtij dueli për ekipin italian. Interi ka mungesa të shumta në mesfushë dhe zgjedhjet janë të detyruara por ka garancinë e dyshes sulmuese Lukaku-Lautaro. “Luajmë çdo gjë brenda një nate, na takon ne dhe duhet të japim maksimumin me apo pa Messin” ka deklaruar i karikuar trajneri Antonio Conte. Zikaltërit me fitore sigurojnë kalimin më tej ,ndërsa me çdo rezultat tjetër favorizohet Dortmundi që nuk pritet të ketë probleme ndaj Slavia Pragës.

Me vendin e parë në grup të siguruar Barcelona mbërriti në Milano jo me artileri të plotë. Pushim janë lënë Messi, Pique, Sergi Roberto dhe po ashtu mungojnë edhe Arthur ,Jordi Alba dhe Semedo. Megjithatë trajneri Valverde sqaron se objektivi nuk ndryshon pavarësisht mungesave, blaugranët do kërkojnë fitoren. Me 72 mijë tifozë të pranishëm “San Siro” do jetë një vullkan gati për të shpërthyer.

Ndeshjet e grupit E startojnë në 18:55 dhe kampionët në fuqi të Liverpool duhet të sigurojnë kualifikimin në Austri ndaj Salzburg në një ndeshje që kërkon kujdesin maksimal për të evituar surpriza të pakëndshme. Ndërsa përNapolin dhe trajnerin Ancelotti kualifikimi ndaj Genk duhet të shërbejë si shpëtim.

Sonte luhen ndeshjet e fundit dhe mbyllen llogaritë edhe në grupet G ku Benfica pret Zenit dhe Lyon-Lajpcig. Ndërsa në grupin H luhen Ajax-Valencia e Chelsea-Lille.