Një grua ka ngjallur një debat të fortë në internet, pasi zbuloi së partneri i saj i kishte mbajtur të fshehtë faktin se kishte 3 fëmijë nga një lidhje e mëparshme.

Duke shkruar nën pseudonimin PenelopeDelph, në website britanik për prindër Mumsnet, 33-vjeçarja, nënë e një fëmije, shpjegoi sesi partneri me të cilin kishte 3 vjet, e kishte mbajtur të fshehur faktin se kishte 3 djem nga martesa e mëparshme.

Ajo tregoi se 45-vjeçari ishte hequr sikur vajza e tyre 6-muajshe ishte fëmija i tij i parë. Ai gjithashtu hiqej sikur ishte në punë, ndërkohë që në të vërtetë shkonte për të takuar djemtë e tij, të moshës 21, 18 dhe 16 vjeç.

Nëna e re, sipas asaj që shkruan e përditshmja DailyMail, shpjegoi se kjo sjellje e partnerit e kishte bërë të ndihej e papërfillur dhe e përjashtuar, ndonëse ai i kishte thënë se kishte ndërmend t’i tregonte “së shpejti”.

45-vjeçari ishte justifikuar me faktin se marrëdhënia me ish-bashkëshorten nuk kishte qenë e mirë dhe se ajo nuk e linte të takonte djemtë. Megjithatë situata dikur ishte qetësuar dhe ai kishte rivendosur kontaktet me fëmijët, por pa i treguar partneres që kishte në shtëpi të vërtetën.

Postimi i 33-vjeçares mori përgjigje të ndara në forum. Shumë prej komentuesve e inkurajuan gruan që ta linte partnerin, duke argumentuar se ai i kishte thyer besimin.

“Gjithë ato vite të mbushura me gënjeshtra. Jeta është shumë e shkurtër për t’u marrë me njerëz të tillë. Ti dhe vajza do të jeni më mirë pa të”, shkruajti një komentues. “Çfarëdolloj gjëje që të bësh, vetëm me të mos qëndro”, u shpreh një tjetër.

Megjithatë, jo të gjithë kishin një këndvështrim kaq negativ. Kishte nga ata që u shprehën pozitivë se me kalimin e kohës besimi mund të rivendosej. Korrieri