Nga Flogert Muça/

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca është prej ditësh nën një sulm të rëndomtë e të paprecedent nga opozita shqiptare. Kjo e fundit ka futur në punë të gjitha çetat për t’i rënë ambasadorit pse ky i fundit tha se çështja e TK është politizuar. Për këtë arsye partitë e opozitës kanë vënë në punë të gjithë mekanizmat për të bërë copë ambasadorin e BE-së. Çdo gjë që shihni online është pjesë e një strategjie opozitare, e cila paguan për të sulmuar këdo që ka mendim ndryshe, qoftë ai ambasadori i BE-së.

Por përtej këtij fakti, ajo që vlen të thuhet dhe analizohet është se kush po e sulmon ambasadorin? Çfarë ka bërë Soreca kundër Shqipërisë dhe çfarë kanë bërë ata që e sulmojnë? Nga paguhet ambasadori Soreca dhe nga paguhen ata që e sumlojnë? Cili ka qenë kontributi i ambasadorit Soreca dhe cili i atyre që e sulmojnë kur vjen puna të rrugëtimi i Shqipërise drejt BE-së?

Pasi të kemi përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të kemi një panoramë shumë më të qartë mbi këtë lojë të pisët politike që nuk nderon asnjërin prej nesh.

Së pari, ata që po e sulmojnë kanë në krye Lulzim Bashën. Ata janë janë mëkëmbës të tij, të paguar prej tij ose të vetëofruar për tu përdorur prej tij. I sulmuari është ambasadori i BE në Shqipëri, i cili mban qëndrimet e BE-së për çështje dhe vendime që merren në Shqipëri, për sa kohë rrugëtimi ynë është drejt Bashkimit Europian dhe duam ta kemi Shqipërinë si gjithë Europa (ka 30 vjet).

Së dyti, të zezat deri në vrasje në kurriz të Shqipërisë e shqiptarëve nuk i ka bërë as Soreca as BE. As 21 janarin, as vjedhjen në rrugën e Kombit, as parazitizmin në bashkinë e Tiranës 2011-2015, as marrëveshjen për faljen e detit me Greqinë…., nuk i ka bërë Soreca që sulmohet sot, por Lulzim Basha si drejtues i lartë politik dhe institucional.

Së treti, ambasadori i BE në Tiranë paguhet nga Komisioni Europian dhe jo nga taksat e shqiptarëve. Ai është i akredituar në Tiranë për të qenë zëri i BE-së këtu si dhe për të raportuar atje gjithçka ndodh në Shqipëri. Por ndryshe nga Soreca, Lulzim Basha dhe aleatja e tij LSI, janë paguar deri dje nga taksat e shqiptarëve. Madje jo vetëm kaq, por kanë abuzuar me taksat tona aq sa s’dinë nga të harxhojnë paratë, s’dinë nga kanë vilat, s’dinë ku të bëjnë pushimet.

Së katërti, që është edhe më e rëndësishmja ndoshta, ka të bëjë me kontributin e Sorecës përballë kontributit të Bashës, Kryemadhi&co, për rrugëtimin e Shqipërise drejt BE-së.

Ambasadori Soreca ka qenë dhe mbetet një mbështetës i Shqipërsë në rrugën e saj drejt BE-së. Soreca e promovon Shqipërinë, Soreca do një Shqipëri në BE.

Po ata që e sulmojnë?

Ata kanë treguar se kanë bërë e po bëjnë ç’mos që Shqipërisë të mos i hapen dyert e Europës. E bëjnë duke lobuar në vendet skeptike të BE-së kundër Shqipërisë. E bëjnë duke paguar artikujt kundër Shqipërisë në mediat ndërkombëtare. E bëjnë sepse një Shqipëri në BE do të thotë një Shqipëri me drejtësi reale së pari.

Kjo është panorama e plotë e një balte dashakeqe që bëhet ndaj ambasadorit të BE-së nga këta që patë më lart. Edhe sikur të mos themi emra, mjafton të thuash bëmat e tyre dhe e kupton se kush janë.

Ndaj, ne shqiptarët e tjerë duhet t’i kërkojmë falje ambasadorit për gjithë sulmin që ka pësuar ditët e fundit.

Ambasador, fali e kuptoji se kanë shumë halle. Por, shqiptarët ti e di që nuk janë ata që thashë më lart. Ata janë ‘derrat e pyllit tonë’./Lexo.al