Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha se kryeministri Edi Rama është shndërruar në një personazh qesharak, por edhe komik.

Kryemadhi zbuloi një të vërtetë tjetër, teksa tha se lajmërimi për ndërprerjen e projektit të rrugës Thumanë- Kashar nuk është i vërtetë, por shtoi se ky projekt po kryhet më një “devotshmëri të paparë”.

“Ne qeshim dhe ne bëjmë shaka me të, sepse e ka ulur veten. Ky është personazh, i cili çdo ditë e më shumë po bëhet qesharak. Ekonomia po fillon të rrënohet. Projekti i rrugës Thumanë-Kashar nuk është anuluar, por po vazhdojmë me një devotshmëri të paparë. Arroganca që ka kjo qeveri po kalon çdo pritshmëri”-tha Kryemadhi.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Kryemadhi kritikoi hapur edhe ambasadorët. Sipas saj, ata nuk kanë folur fare për procesin e zgjedhjeve duke pranuar veprimet e turpshme të 30 qershorit.

“Mund ta largojmë këtë njëri të çmendur vetëm me rezistencë. Çdo hap i opozitës ka qenë i mirëmenduar. Keni dëgjuar ju ndonjë ambasador të flas për zgjedhjet. Pse nuk flasim për zgjedhjet, por flasin vetëm për dialog”-shtoi ajo.