Sonnenaufgang über den Spicherer Höhen

Nga Silvana Rusi, Botime Akropoli i Ri/

“Qeni Moasi” është një nga veprat më të vyera të Jorge Angel Livraga-s në të cilën, sikundër edhe në veprat e tij të tjera, autori shpalos dijet e tij me një natyralitet të habitshëm, duke na bërë të vetëdijësohemi edhe njëherë mbi tendencën tonë të gabuar të ndërlikimit të tepërt të gjërave: gjërat më të sakta dhe më të drejta janë ato më të natyrshmet dhe më të thjeshtat.

Përmbledhtazi, do ta  konsideronim  librin një  analizë  të shoqërive të  ndryshme njerëzore, parë nga këndvështrimi i një qeni “shumë njerëzor”. Në momentet e fundit teksa e pret vdekja, mes ethesh e temperaturës Qeni Moasi nis të na tregojë historinë e jetës së tij. Kështu, ai na rrëfen mbi fëmijërinë, vetëdijësimin e tij se gjithnjë ka qenë ndryshe nga të tjerët. Hap pas hapi arrijmë të mësojmë mbi momentet që i ndryshuan jetën, shkëputjen e tij nga familja dhe ndodhitë kuptimplota që e shndërrojnë në një njeri të ditur e rrjedhimisht, edhe të suksesshëm në botën njerëzore. Gjithë mençuria e fituar falë dashurisë së treguar ndaj tij nga i zoti e bëjnë këtë qen me pamje njeriu tepër të aftë për të gjykuar me kthjelltësi mbi fenomenet njerëzore, duke i lejuar madje vetes edhe shkëndija të fuqishme habie mbi mënyrën sesi njerëzit ulur në kafene zgjidhin problemet më të mëdha e mijëravjeçare të njerëzimit brenda pakorëve.

Përmes të kaluarit e kohës mes njerëzve që e kanë humbur konceptin e së shenjtës dhe nuk arrijnë më të shohin përtej së sotmes a së nesërmes, Qeni Moasi, tashmë Doktor kupton pak nga pak parimet në bazë të të cilave funksionon xhuxhokracia si sistem i bazuar në antivlera dhe hedhje balte mbi qeniet që kanë përmirësuar botën;  ai vetëdijësohet tashmë mbi humbjen kaq të trishtë të ndjenjave me të cilat ai ishte rritur dhe që e fisnikërojnë njeriun, sikurse janë dashuria, besnikëria e devotshmëria dhe destinacioni i vetëm që njerëzit arrijnë të perceptojnë për fatin e tyre është abisi, boshllëku.  Kështu, i  gjendur  mes dyshimesh, vendos të bëjë gjënë më të mirë në një situatë të tillë: të hetojë, të lexojë, të studiojë dhe mbi të gjitha, të udhëtojë. Rrugëtimet e ndryshme që heroi ynë ndërmerr e shndërrojnë në një nxënës të vërtetë, vëzhgues dhe dëgjues të mirë. Ylberi i personaliteteve të anëtarëve të ekuipazhit të tij, kaleidoskopi i formimeve të   njerëzve që ai takon në vendet e ndryshme dhe strukturat e ndryshme njerëzore të krijuara nga popujt i mprehin gjykimin dhe aftësitë krahasuese mes të ndryshmeve, vetëm e vetëm për të kuptuar se janë në thelb e njëjta gjë, se jemi në thelb e njëjta gjë.

Qeni Moasi has në popuj ku raca të ndryshme janë në luftë me njëra-tjetrën dhe ku racizmi luftohet si një e keqe e madhe deri në momentin kur rolet ndryshojnë dhe i shtypuri bëhet shtypës. Këmba e tij shkel më tej në të tjera vende ku parimet e propaganduara të barazisë dhe tolerancës janë të pashëndetshme sepse i kanë rrënjët të zhytura thellë në dëshira pushteti dhe shtypjeje.

Me anijen dhe helikopterin e tij Qeni Moasi takon edhe popuj fetarë që kanë mision të përditshëm përçarjen, duke qenë kështu të larguar plotësisht nga koncepti që feja do të duhej të mishëronte në vetvete: bashkimin e personaleve të ndryshme për një të mirë më të lartë.  Këto e shumë aventura të tjera të trishta, por tepër të vlefshme e bëjnë Moasin të mësojë të vlerësojë edhe më thellësisht gjëra që mbase i kishte marrë më parë si të mirëqena, si zhvillimin që çdokush mund të përfitojë falë hapjes së mendjes, studimit krahasues të feve, arteve, politikave dhe shkencave, bujarinë e natyrës, qetësinë që fal harmonia mes njerëzve e mbi të gjitha, rëndësinë që ka përdorimi i potencialit të qenies njerëzore në shërbim të së mirës së përbashkët.

Mbi të gjitha, ai mëson mbi vlerën e faktit se të gjitha këto dallime të shpikura nga njerëzit e kanë esencën të njëjtë: vetëm ndjenjat e mira përkundrejt gjithçkaje që e rrethon njeriun kanë aftësinë ta fisnikërojnë shpirtin e tij dhe se njerëzimi mundet të ndryshojë palumturinë në të cilën është zhytur vetëm nëse ndryshon udhën që po ndjek. Moasi mbart me krenari ekzistencën e tij si një qen duke na bërë të reflektojmë kështu se gjithçka që ka një ekzistencë të vetën ka krahas saj edhe nevoja, por ç’është më e rëndësishmja, edhe plot mësim që mund të na japë. Vetëm duke kuptuar këtë, arrijmë të kuptojmë se edhe vetë ne kemi mundësinë dhe detyrën të bëjmë pjesën tonë në harmoninë e totalit.

Kështu, në kurorëzim të buqetës me mësime mes fletësh jo-voluminoze, por të mbushura plot eksperienca, Moasi na jep të gjithëve edhe mësimin e vyer mbi rëndësinë e mirënjohjes ndaj mësuesit tonë që na përgatit për jetën. Eh, edhe në ndodhtë që këpucët e një mësuesi dashamirës të mos i mbushë dot një njeri i jashtëm, atëherë duhet të fillojmë ta zgjojmë zërin dashamirës nga përbrenda nesh. Duke qenë i lumtur për ekzistencën e tij si një qen, ai jeton këtu dhe tani, pa mohuar atë që është, duke marrë prej qenies së tij dhe jetës që ka kaluar më të mirat mësime të cilat do ta ndihmojnë atë në udhëtimet e tjera. Bëhet kështu edhe shembulli më i mirë për ne, duke na dhënë zemër të marrim mësime prej zërit tonë të brendshëm që do të na ndihmojë në rrugëtimin e tanishëm nëse zgjedhim ta dëgjojmë vërtet.