Jahti i ankoruar dhe braktisur në mënyrë të mistershme në Shëngjin është kthyer në mollë sherri mes Prokurorisë dhe ambasadës turke.

Pronari i saj, Nedim Akyuz, i cili rezulton të jetë një biznesmen në fushën e tekstileve në Turqi, ka ardhur për të tërhequr jahtin, por nuk është lejuar pasi është provë materiale dhe është rrethuar me shirit në portin e Shëngjinit deri në kryerjen e hetimeve.

Në mbështetje të tij paraditen e së martës ka shkuar edhe ambasada turke, por nuk kërkesa për ta marrë jahtin është refuzuar sërish.

Nedim Akyuz ka deklaruar se jahti është në pronësi të tij, por nuk ka qenë në bordin e jahtit, ndërsa mjeti drejtohej nga kapiteni, shtetasi turk Sevgin Javu me të cilin ka humbur kontaktet me datë 6 shtator.

“Kapiteni do udhëtonte nga Mali i zi për në Korfuz të merrte vëllanë tim. Me thotë në Mal të Zi s’kam naftë dhe i thashë të merrte në Mal të Zi. Telefonata tjetër ka qenë kur ai ishte në Shqipëri. Më ka telefonuar me një numër shqiptar dhe më tha jam 25 milje larg Durrësit deti është shumë i mirë. Më pas s’kam fol me të. Nuk dyshoj që është mbytur pasi ka qenë me shumë përvojë. Mbase ka tentuar vetëvrasjen. Dua jahtin, më kushton shumë ta lë në Shqipëri. Kushton 20 milionë euro”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar në polici se nuk di asgjë rreth rrethaneve se çfarë mund të ketë ndodhur apo ku mund të jetë momentalisht kapiteni i jahtit Sevgin Javuz.

Dyshimet e janë për një ngjarje aksidentale, pasi në jaht janë gjetur pajisje peshkimi, dhe kjo ka ngritur dyshimin se kapiteni mund të ketë fikur mjetin për të peshkuar, por në rrethana aksidentale mund të ketë rënë prej tij dhe ka humbur gjurmët.