Një studente juridiku do të jetë pjesëmarrësja e parë e mbuluar me shami që do të konkurrojë në Miss Anglia 2018.

Sara Iftekhar është shprehur në rrjetin social “Instagram” se ende nuk mund ta besojë që do të jetë pjesë e finales.

“Wowwww !!!! Nuk mund ta besoj dot sa ndjesi e mrekullueshme është të di se do jem në mesin e finalisteve të Miss Anglia 2018! Faleminderit Zotit!”- ka thënë më tutje ajo.

20-vjeçarja po përdor famën e fituar nga konkursi, për të mbledhur fonde për organizatën “Beauty with a Purpose” .

“Kam marrë pjesë në Miss Anglia 2018 për të dëshmuar se bukuria nuk ka një përkufizim, të gjithë janë të bukur në mënyrën e vet, pavarësisht nga pesha, raca, ngjyra ose format e tyre”, është shprehur Iftekhar.

Organizata “Beauty with a Purpose” është krijuar për të mbështetur fëmijët e pambrojtur anembanë botës, sidomos në Amerikën e Jugut, Sri Lanka, Rusi, si dhe fëmijët e shpërngulur në Vietnam dhe ata të prekurit nga fatkeqësitë natyrore.

Daily Mail shkruan se Sara Iftekhar, e cila shpesh shpërndan nëpër rrjete sociale fotografi ku duket e veshur sipas modës pakistaneze , shpreson që javën e ardhshme do të rrëmbejë kurorën e Miss Anglisë në Kelham Hall.