Miratohen propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për mbrojtjen e fëmijëve -14 vjeç

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka propozuar masa të reja për mbrojtjen e fëmijëve nga aksesi në përmbajtje të paligjshme dhe të dëmshme në internet. Propozimet për kufizimin e aksesit të fëmijëve në internet dhe qendrat onilen tashmë janë miratuar me vendim qeverie. Sipas këtij vendimi në subjektet tregtare, që ofrojnë shërbimin e internetit për të tretë ose lojra on-line, ndalohet hyrja e fëmijëve nën moshën 14 vjeç, të pashoqëruar nga të paktën njëri prej prindërve të tyre, kujdestari apo i afërm madhor, me lidhje të afërt familjare me fëmijën. Ky detyrim afishohet në mënyrë të dukshme në hyrje të subjektit tregtare që ofron shërbimin e internetit për të tretë ose lojra on-line.

Qëllimi i këtij vendimi është që informacioni, i cili merret apo përfitohet duhet të përdoret vetëm për të përcaktuar nevojat e fëmijës dhe për ta mbrojtur atë nga dëmtimi, si dhe në çdo rast do të mbrohet privatësia dhe identiteti i fëmijës.
Ky vendim përcakton detyrimet dhe përgjegjësitë që kanë institucionet që ngarkohen me zbatimin e tij lidhur me përdorimin e shërbimit të internetit.
Pasi Agjencia për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës konstaton se faqet/materialet janë me përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, i publikon ato në portalin për bllokimin e faqeve me përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme, i cili administrohet nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike. Agjencia për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, vendos në dispozicion linja aksesi për fëmijët dhe publikun nëpërmjet: a) mjeteve të komunikimit telefonik; b) raportimeve online në ëebfaqe të dedikuara.

Ky vendim, i konsultuar me përfaqësues të shoqërisë civile punojnë në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijëve, vjen si plotësim i kuadrit ligjor, me hyrjen në fuqi të ligjit nr.18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”.