Kuvendi miratoi dje me 72 vota pro shtyrjen e afatit për regjistrimin e tokave të ndara me ligjin 7501. Dy projektligjet që ishin propozuar nga Erion Braçe u miratuan dje me votat e maxhorancës, duke u dhënë afat deri në fund të vitit përfituesve të tokave me ligjin 7501 që Aktet e Marrjes së Tokës në Përdorim t’i hipotekojnë pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

LIGJI

Sipas relacionit që shoqëron dy projektligjet e miratuara dje në seancë plenare theksohet se me ndryshimin e ligjit të parë, atë “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, krahas ndryshimit të afatit për regjistrimin e titujve të pronësisë, ka edhe ndryshime përvsa u përket përfituesve të tokave.

“Ky ligj krijon mundësi për të gjitha familjet bujqësore, të cilat disponojnë Aktin e Marrjes në Përdorim për të përfituar Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, pavarësisht përcaktimeve përjashtuese të bëra në VKM nr.452, datë 17.10.1992, ‘Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore’, të ndryshuar.

Familjet bujqësore që përdorin tokën do ta përfitojnë Aktin e Marrjes në Pronësi vetëm mbasi të kenë vërtetuar se nuk kanë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo në pronësi në qendrat e tyre të mëparshme të banimit.vlcsnap-3389373

Ndryshimet propozojnë që të jenë subjekt i ligjit familjet bujqësore, të cilat nuk e disponojnë Aktin e Marrjes në Përdorim të tokës vetëm mbasi të kenë vërtetuar se nuk kanë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo në pronësi në qendrat e tyre të mëparshme të banimit si dhe familjet bujqësore, të cilat e disponojnë Aktin e Marrjes së Tokës në përdorim, por këtë akt e kanë përfituar mbas datës 31.12.1993. Për këto të fundit, toka do të mbetet në përdorim.

Ndryshimi tjetër parashikon zgjatjen e afatit të përfundimit të procesit të plotësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, për territoret e ish-ndërmarrjeve bujqësore nga data 31 dhjetor 2018, i parashikuar me ligjin 102/2017 në 31 dhjetor 2019″, theksohet në relacion. Ligj tjetër që u miratua dje në seancë plenare ishte edhe ai për “Një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, i cili ka për qëllim saktësimin e përkufizimit të përdoruesit faktik të tokës bujqësore, duke përfshirë në këtë kategori të gjithë individët ose familjet bujqësore që kanë qenë banorë të njësisë vendore në datën 1.8.1991, por të cilët, për arsye nga më të ndryshmet, nuk janë pajisur me Aktin e Marrjes në Përdorim ose në Pronësi të tokës.

Krahas kësaj, relacioni i projektligjit thekson se: “Me ndryshimin e ligjit, zgjidhjen edhe problematikat dhe pajisjen me Aktin e Marrjes në Pronësi të tokës, për të gjithë përdoruesit e tokës bujqësore në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, të cilat disponojnë tokë bujqësore në përdorim dhe që u është ndarë tokë në përdorim nga 1000m2 deri 4000 m2”./ PANORAMA