Milani mposhti 2-0 Feronikelin në miqësoren historike të luajtur mbrëmjen e djeshme në Prishtinë. Në një stadium të zbrazët kuqezinjtë shënuan nga një gol për secilën pjesë me spanjollin Suso që tundi rrjetën në minutën e 26-të.

Rafael Leao debutoi për ekipin italian në pjesën e dytë dhe dhuroi pasimin për golin e dytë të Milanit të shënuar nga Fabio Borini. Skuadra kosovare u ndal në shtyllë në një moment. Një test i mirë për kuqezinjtë dhe një ndeshje privilegji për Feronikelin dhe tifozët kosovarë.

Në miqësoret e tjera Napoli ka rezistuar vetëm një pjesë ndaj Barcelonës. Katalanasit e kanë fituar 4-0 ndeshjen e luajtur në Michigan Stadium me të gjithë golat e shënuar në pjesën e dytë në harkun e 15 minutave. Luis Suarez ka tundur rrjetën në minutat 48 dhe 58-të. Ndërsa Griezmann e Dembele ishin autorët e golave të tjerë. Turneu La Liga-Seria A Cup fiton nga Barça e cila edhe në Miami kishte fituar 2-1.

Interi i Antonio Contes është ende një kantier i hapur por këmbngulës dhe me personalitet. Në Mestalla për zikaltërit vjen një tjetër fitore me penallti ndaj Valencias që është shumë më para me përgatitjet. 1-1 u mbyll koha e rregullt falë golave të Soler dhe Politanos ndërsa tek penalltitë Interi fitoi 7-6 duke bërë të vetin trofeun Naranja.