Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, u nis për në Londër, ku do të marrë pjesë, si pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar në samitin e NATO-s që mbahet në kryeqytetin britanik në 3- 4 dhjetor.

“Menjëherë pas përfundimit të punimeve të samitit, ministrja Xhaçka do të kthehet në Tiranë, ndërkohë që po ruan komunikim të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për menaxhimin e situates pas tërmetit të 26 nëntorit”, bën të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Sipas ministrisë, aktualisht, 1.26% e Prodhimit të Brendshëm Bruto GDP i është dedikuar mbrojtjes dhe 14.42% e fondit për mbrojtjet përdoret për modernizimin e Forcës së Armatosur.

“Siç mund të shihet edhe në listën e publikuar në faqen zyrtare të NATO, Shqipëria ka një përqindje më të lartë të buxhetit, krahasuar me vendet më të zhvilluara e me kontribut më të gjatë në Aleancë. Buxheti dedikuar mbrojtjes, që prej vitit 2014, kur është marrë zotimi në samitin e Wellsit ka pësuar një trend konsistent, duke ndaluar rënien dhe filluar rritjen. Prej vitit 2017 qeveria ka miratuar planin kombëtar për të respektuar investimet në sektorin e mbrojtjes. Ky plan përcakton zotimin politik dhe financiar, në të njëjtën frymë me zotimin e Wellsit, që në vitin 2024, Shqipëria të arrijë 2% te GDP për mbrojtjen”, thekson ministria e Mbrojtjes.