Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini ka zhvilluar një vizitë pune në Ankara, ku është pritur nga homologu turk Z. Ziya Selçuk (Zija Selçuk).

Në kuadër të kësaj vizite një-ditore dy homologët kanë ndarë të njëjtat bindje për dobinë e thellimit të bashkëpunimit në sektorin e arsimit. Ky bashkëpunim pritet të sjellë vlerë të shtuar të punës së përbashkët mes dy vendeve.

“Turqia ka ofruar ndihmën e saj në përmirësimin e infrastrukturës së konvikteve” – është shprehur ministrja Shahini.

Gjatë takimit, ajo ka theksuar se dëshirojmë të mësojmë nga modelet e universiteteve teknike në Turqi, të cilët janë nga më të mirët në botë dhe kjo realizohet përmes intensifikimit të shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik mes dy vendeve.

Në vlerësimin e kësaj vizite, Znj. Shahini është shprehur se tashmë një numër i madh studentësh nga Shqipëria studiojnë në universitetet turke dhe Shqipëria synon të rrisë gjithashtu edhe numrin e studentëve nga Turqia që vijnë të studiojnë në Shqipëri.