Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e ftuar në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, sqaroi çështjen e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që krijoi tensione mes Presidentit, Parlamentit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Duket hedhur dritë mbi këtë çështje, Gjonaj theksoi se parimi i rotacionit, parashikuar në Kushtetutë, ka të bëjë me thelbin se kush nga tre institucionet e emërtesës ka të drejtën për të plotësuar vakancën e parë.

Ajo argumentoi se përplasja është mes presidentit Ilir Meta dhe institucioneve të reja të drejtësisë.

E pyetur nga drejtuesi i emisionit lidhur me deklaratat e kreut të shtetit ku paralajmëronte përdorimin e armëve, ajo nënvizoi se është për zgjidhje ligjore dhe kushtetuese, e jo për kundërpërgjigje me të njëjtën gjuhë si kreu i shtetit.

“Presidenti do duhej që brenda afatit ligjor duhet të ishte shprehur për emërimin e një nga tre kandidaturave, para parlamentit. Presidenti, një ditë përpara se të skadonte afati i kërkoi pezullimin e këtij afati KED, me një shkresë. Radha në të shumtën e rasteve është keqkuptuar pasi është konsideruar “kohë”. Në fakt radha e përcaktuar në Kushtetutë ka të bëjë me faktin se kush zgjedh anëtarin për vakancën e parë”, tha Gjonaj.
Më tej, Gjonaj argumentoi se, nëse argumenti i Presidentit do të ishte i saktë për radhën, vetë ai nuk do të duhet të kishte pranuar betimin e një nga dy kandidateve që zgjodhi Kuvendi. Apo, vetë Presidenti nuk do duhet të kishte dekretuar emërimin e anëtares së katërt të Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas logjikës së Presidentit, radha i përkiste Gjykatës së Lartë, që aktualisht nuk funksionon.
“Nëse do të bazohemi në argumentin e Presidentit, do të duhej që ai të mos njihte dy emërimet e Kuvendit, por vetëm një. Nëse do ekzistonte radha në kohë, Presidenti nuk do duhej ta dekrektonte kandidatin e katërt. Radha në konceptin kushtetues ka të bëjë me aspektin substancial me të drejtën që ka organi emërtues për të plotësuar vakancën. Fakti që Presidenti ka dekretuar emrin e kandidates së katërt në listë, do të thotë që është kujdesur më shumë për emrin e kandidates. Fakti që mekanizmi zhbllokues u vendos në lëvizje në momentin që Presidentit i skadoi afati, do të thotë se Arta Vorpsi është anëtare e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjonaj.
Gjithashtu, ministrja sqaroi edhe debatin e krijuar mbi listën e KED, që i dërgoi Presidentit katër kandidatë.

Ajo saktësoi se KED bën renditjen e të gjithë kandidatëve, pra mund t`i dërgojë Presidentit dhe 20 emra. Por, Kreu i Shtetit duhet të zgjedhë vetëm një nga tre emrat e renditur në krye të listës.
“Kushtetuta e thotë qartë, se tre instutucionet duhet të zgjedhin një nga tre emrat në listë. KED për të bërë sa më transparente procesin e kandidaturave i çon gjithë listën me kandidatën e kualifikuar nga i pari tek i fundit. Nuk është e parashikuar në Kushtetutë që KED çon tre kandidatë, por organi i emërtesës duhet të zgjedh një nga tre kandidatët e renditur të parët. Presidenti ka zgjedhur emrin e katërt të kësaj liste, kur në Kushtetutë parashikohet se Presidenti duhet të zgjedh një nga tre të parët. KED i çon gjithë listën, dhe ja ku i thotë ja ku e ke listën me 20 kandidatë. Presidenti duhet të kishte zgjedhur një ndër tre të parët”, tha Gjonaj.