Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet miratimin e tre ligjeve mbi transformimin e Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës. Rezultati i sotëm në Kuvend është fryt i kontributit shumëvjeçar të gjitha forcave politike dhe popullit të Kosovës, bazuar në të drejtën legjitime të një shteti sovran e të pavarur.
Mbështesim angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që procesi i transformimit të Forcave të Sigurisë të zhvillohet gradualisht, në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, si dhe të jetë gjithëpërfshirës. Ushtria e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të vendit, si dhe të forcimit të sigurisë në rajon.