Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, që prej paradites së sotme po monitoron nga afër situatën e krijuar në Qarkun e Durrësit, më i prekuri nga tërmeti i 21 shtatorit.

Ai ishte mesditën e sotme në Porto Romano, në familjen e Zef Balës, ndër më të prekurit nga dëmet.

Banesa e familjes Bala, ende në ndërtim, ka pësuar dëmtime serioze duke e bërë gati të pabanueshme.

Familja Bala është sistemuar në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të MB, ku do u garantohet strehim deri në zgjidhjen e problemit të strehimit të tyre.

Ministri Lleshaj u ka premtuar se shumë shpejt do të ndërhyhet për të rindërtuar banesën e tyre.

“Pothuajse e urdhërova të zhvendoset në Shtëpinë e Pushimit të MB, pa ndonjë gjasë që mund të kthehet më aty ku është.

Dy shtëpi kishte ndërtuar vetë deri tani dhe të dyja i ishin shembur. Kjo e treta i kishte themelet në ajër.

Një dramë më vete që duhet zgjidhur. Dhe do të zgjidhet.”, shkruan ministri Lleshaj në rrjetin social FB.