“Nuk ka asnjë arsye për të tërhequr njohjen e Kosovës”. Kështu deklaroi sot ministri i Jashtëm i Çekisë, Tomas Petricek, ndërsa nënvizoi faktin se politika e jashtme e shtetit të tij duhet të ruajë me patjetër një vazhdimësi të qartë.

“Politika jonë e jashtme duhet të ketë vazhdimësi dhe qartësi”, theksoi ai. Kjo deklaratë vjen edhe si një reagim ndaj deklaratës së djeshme të kryeministri Andrej Babis, i cili ka thënë se kjo temë do të diskutohet në takimin e muajit tetor të zyrtarëve të lartë kushtetues.

”Ne e njohëm Kosovën ‘de jure’… Unë jam i gatshëm ta diskutoj çështjen me kryeministrin dhe zyrtarët kushtetues dhe do të paraqes argumentet e mia. Jam i bindur që politika jonë e jashtme duhet të ketë vazhdimësi dhe qartësi”, theksoi ai.

Presidenti çek, Milos Zeman, gjatë një vizite në Serbi pohoi se ai do të dëshironte të diskutonte me zyrtarët e lartë kushtetues mundësinë që Republika Çeke të rishikonte njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, raporton RTK. Kjo deklaratë prodhoi reagime të forta si në Kosovë ashtu edhe brenda shteti të Çekisë.