Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas gjatë një takimi me Gent Cakaj në Berlin rikonfirmoi se për Gjermaninë negociatat me Shqipërinë duhet të hapen për arsye strategjike në Ballkanin Perëndimor. Ai gjithashtu vlerësoi rolin e vendit tonë në kryesimin e OSBE-së të cilën e cilësoi jo thjesht një sfidë, por një mundësi të madhe që ka vendi për të performuar në skenën ndërkombëtare.

Ministri i jashtëm gjerman siguroi ministrin në detyrë Cakaj për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë jo vetëm në aspektin bilateral por edhe në ambiciet e saj për lidership multilateral. Në këtë kuadër u ra dakord që agjenda të vijojë me intensitet të plotë.

Ministri në detyrë Cakaj informoi homologun gjerman mbi ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, si dhe përmbushjen plotësisht të tre kushteve të vendosura nga Këshilli Evropian në qershorin e vitit 2018.

Kryediplomati shqiptar e vlerësoi si historike dhe të pa ndërmarrë nga ndonjë vend tjetër në rajon, zbatimin e reformës në drejtësi që sipas tij, ndodhet në fazën e fundit të saj. “Vitin e kaluar Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së mori vendim për hapjen e negociatave në 2019 dhe ne ishim të bindur se kjo nuk do të ishte një hapje automatike por e bazuar në një punë intensive për plotësimin e procesit të vetingut, krijimin e organeve të reja gjyqësore dhe dhënien e rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti i Komisionit Evropian ka çertifikuar angazhimin e qeverisë shqiptare në plotësimin e këtyre kritereve nga pikëpamja teknike”, tha ministri në detyrë Cakaj.