Shkolla e mesme e bashkuar “Shaban Sheshori” në Prezë është një tjetër shkollë model, e cila pas fazës së rikonstruktimit do të jetë gati më 16 shtator me një pamje krejtësisht të re dhe me kushte shumë më të mira për zhvillimin e mësimit. Rikonstruktimi total i realizuar në 16 klasa, palestër dhe ambientet e jashtme ka krijuar kushte shumë më të favorshme në këtë shkollë për afro 230 nxënësit e saj që vijnë nga fshatrat e Ahmetaqit, Prezës dhe Fushë-Prezës.

Të pranishëm në inspektimin e punimeve të përfunduara ishin Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini dhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, të cilët shpërndanë njëkohësisht edhe libra falas për nxënësit e klasave 1-5 dhe i uruan atyre suksese për vitin e ri shkollor. Në kuadër të shpërndarjes së librave falas, kujtojmë se këtë vit skemës mbështetëse i janë shtuar edhe klasat e 5-ta. Në total, numri i nxënësve përfitues të librave falas nga klasa 1-5 është 155 mijë; ndërsa 70 mijë është numri total i nxënësve përfitues nga klasa 6-12, të cilët vijnë nga kategoritë e veçanta.