Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal – RCC, Majlinda Bregu ka vlerësuar punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë lidhur me fuqizimin e shtetit të së drejtës.

Në kuadër të ministerialit të Drejtësisë që ka bërë bashkë ministrat e Ballkanit Perëndimor, Bregu tha se rezultatet e reformës në drejtësi janë tregues për punën e madhe që Shqipëria ka bërë.

“Sikur diskutimet mes nesh në rajon, mbi modelin radikal të reformës në drejtësi që ka ndërrmarrë Shqipëria të ishin publike, sikur reagimet për procesin e vettingut apo habia mbi numrin e gjyqtarëve që kanë lënë sistemin gjyqësor në Shqipëri, përmes shkarkimeve dhe dorëheqjeve, të ishin po aq publike, jam e bindur që do ta kishin të gjithë më të lehtë për të kuptuar çdo të thotë : Its all about justice! Sot jam edhe më e bindur se 18 muajt e debateve, vështirësive, luftës së nervave me të gjithë aktorët politikë që në media flisnin për një system të ri të drejtësisë të pavarur nga çdo lloj ndikimi politik, dhe nga ana tjetër krijonin pengesa artificiale për ta bllokuar, ia kanë vlejtur pavarësisht kostove personale të gjithkujt që beson se për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike, ku pandëshkueshmëria nuk është normë e shoqërisë dhe ku askush nuk është mbi ligjin, duhet te paguash edhe nje çmim”, tha ndër të tjera Bregu.

Më tej ajo shtoi se:

“Nuk është rastësi, që përveç drejtësisë institucioni tjetër me i pabesueshëm në të njëjtat shifra është Parlamenti. Dhe s’ka si të jetë rastësi që edhe Bundestagu cakton një binom kushtesh si parakushte për çeljen e negociatave: reformën zgjedhore dhe kushtet që lidhen me reformën në drejtësi. Keto jane problemet sistematike që kanë vendet tona. Nëse zbatimi i ligjit pengohet nga ata që kanë pushtet politik dhe që kanë mundësi ta gozhdojnë dominancen e tyre përmes procesit të votimit, atëherë ja pse reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi janë një kusht i vetem ose një Binom. Mungesa e një reforme elektorale, pengon konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Kush bllokon reformën zgjedhore pengon zbatimin e ligjit, forcimi i të cilit i heq kudo pushtetit mundesinë për të abuzuar me votën”, u shpreh Bregu.

Ndërkohë, ndër të tjera ajo tha se BE-ja ka qenë shtysa kryesore dhe më e rëndësishme në rajon për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave themelore dhe pakicave.

“Por nëse 56% e qytetarëve në BP besojnë se jeta e tyre do të ndryshojë për mirë kur të jenë vend anëtar i BE-së, 75% e tyre janë të pakënaqur për mënyrën sesi zbatohet drejtësia.
59% mendojnë se ligjet nuk zbatohen në mënyrë efektive dhe 70% e qytetarëve mendojnë se nuk zbatohen në mënyrë të barabartë (BB2019).
Si për ta qartësuar edhe më shumë pakënaqësine e tyre,- parlamentet dhe gjykatat janë institucionet publike më pak të besueshme në rajon 74% ose ndryshe partitë politike dhe institucionet e drejtësise janë sipas 75% të tyre më të korruptuarat.
Arsyeja tjetër se pse ky pikëtakim u vendos në Tiranë, ka të bëjë pikërisht me Reformën në Drejtësi që ka ndërrmarrë Shqipëria”, theksoi Bregu.

“Ministeriali i Drejtësisë” mbahet për të dytin vit radhazi në Tiranë nën kujdesin e ministres Etilda Gjonaj, e cila ka bërë bashkë të gjithë ministrat e Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar lidhur me reformat e ndërmarra mbi forcimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat e përbashkëta rajonale që gjenden përpara.