Ndeshja me Juventusin afron dhe Milani përgatitet për të shmangur humbjen e shtatë në kampionat dhe për të reaguar në një situatë ndër më të hidhurat këto dekadat e fundit. Suso është rikthyer në grup dhe është gati për ta nisur titullar, ndërsa për Castillejo rrezikohet qëndrimi jashtë deri në dhjetor.

Por, risia më e madhe ka të bëjë me skemën. Më në fund, trajneri Pioli, duke parë problemet në mbrojtje, pritet të kalojë te skema me tre mbrojtës: Ricardo Rodriguez, i freskët duke qenë se nuk ka luajtur aspak ndeshjet e fundit, pritet titullar, përkrah Alessio Romagnolit dhe në të djathtë njërit mes Duarte dhe Musacchio. Argjentinasi ende nuk ka rikuperuar dhe duhet parë situata e tij.

Sakaq, Theo Hernandez do të shtyhej përpara në mesfushën me katër: Theo Hernandez, Kessie, Bennacer dhe Paqueta, ndërsa në sulm Suso, Piatek dhe Calhanoglu, me Bonaventura që gjithashtu ka hedhur kandidaturën si titullar.