Presidenti Ilir Meta deklaron se do ta hedhë vetë shortin për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në datë 5 Dhjetor. Gjithashtu ai thekson se do ta ndjekë me shumë rigorozitet gjithë veprimtarinë e saj, për të mos lejuar më asnjë devijim nga parimet dhe dispozitat kushtetuese.

“Presidenti Meta bën publik edhe faktin se ka vendosur që shorti për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, do të realizohet nga Institucioni i Presidentit të Republikës në datë 5 dhjetor 2019 dhe pas fillimit të funksionimit të KED-së së re, do ta ndjekë me shumë rigorozitet gjithë veprimtarinë e saj, për të mos lejuar më asnjë devijim nga parimet dhe dispozitat kushtetuese dhe të ligjit për të mbrojtur integritetin e mëtejshëm të gjithë procesit për ngritjen dhe funksionimit e plotë të Gjykatës Kushtetuese”thotë Meta.

Çfarë thotë ligji për ngritjen e KED-së? Pika 3 e nenit 149/d të Kushtetutës së ndryshuar në vitin 2016, parashikon që Presidenti i përzgjedh me short anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë (që edhe e drejton këtë institucion), një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë, dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Por nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor, por kreu i shtetit ka konfirmuar se do ta hedhë vetë shortin.

Por KED-ja mund të futet në ngërc dhe të mos krijohet nëse nis hetimi kundër Ardian Dvoranit pas kallëzimit të Metës kundër tij. Ligji e përcakton se nëse një person që është në ndjekje penale nga organi i akuzës nuk mund të kandidojë për të qenë pjesë e KED-së. Kjo do të thotë se Ardian Dvorani, që drejton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për shkak të funksionit që ka si anëtar i Gjykatës së Lartë, i ngelur vetëm pas procesit të vettingut rrezikon që të përjashtohet nga rikandidimi nëse ndaj tij do të nisë një proces penal nga prokuroria. E gjithë kjo situatë do të thotë se nëse nis hetimi kundër Dvoranit pas kallëzimit të Ilir Metës ai mbetet jashtë KED-së dhe në kushtet kur nga Gjykata e Lartë nuk ka asnjë emër tjetër (pasi Medi Bici është anëtar i KLGj-së) ky institucion futet në ngërç.