Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se vija e kuqe është Kushtetuta, ndërsa solli në vëmendje 22 nëntorin që përmes refernedumit popullor solli kushtetutën e re. “Kushtetuta e 98-ës vendosi rotacionin normal politik. Kjo kushtetutë gëzon nderimin e shqiptarëve, por u zhbë në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e vitit 2008”, tha Meta.

“Ndryshimet që u bënë në 2016-ën kanë nxjerrë në pah probleme akute që u paralajmëruan se do të ndodhnin. Kushtetuta u kthye në rregullore me data dhe afate që janë shkelur që të gjitha, që kanë shkaktuar një kaos ligjor që po con në paralizimin e sistemit të drejtësisë. Me këto afate një pensionist nuk mund ta gëzojë kurrë pensionin që i takon!”, shtoi më tej Meta.

Teksa vijoi: “Kushtetuta është ligji suprem, është trupi që mishëron parimet themelore sipas të cilës qeveriset një vend.Si një tempull i shenjtë që i shërben shtetit të së drejtës. Sa më serioz dhe i qëndrueshëm sistemi demokratik i një vendi aq më i rrallë është ndryshimi i kushtetutës.
Kushtetuta rrjedh nga dakordësia e një populli.
Kushtetuta vijë e kuqe përsa kohë fuqia e saj buron prej popullit”.

Kjo deklaratë e Metës vjen pas ngërçit të krijuar përgjatë javëve të fundit për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Një ditë më parë vettingu shkarkoi në apel Besnik Muçin, të dekretuarin e Metës si anëtar të Kushtetueses. Po sot kreu i shtetit shpalli sërish vakancën për anëtarin në Kushtetuese në vend të Muçit, ndërsa ky i fundit nuk e ka pranuar vendimin e vettingut teksa sot shkoi sërish në Gjykatën Kushteutese.