Presidenti Ilir Meta i qëndron vendimit për anulimin e datës së zgjedhjeve duke thënë se nuk ka shkelur Kushtetutën.

Në një konferencë për media nga Presidenca, Meta tha se nuk e kupton arsyen pse mazhoranca kërkon të nisë procedurat për shkarkimin e tij, pas dekretit të anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai tha se mund të ikë nga presidenca pasi palët politike të zgjidhin krizën me dialog.

Meta po ashtu ju drejtua palëve politike të gjejnë dakordësi për të caktuar datën e re të zgjedhjeve vendore. Ai kërkoi që palët të ulen në dialog për zgjidhjen e kësaj krize.

“Zgjedhjet do të zhvillohen në një datë të mëvonshme në një afat të arsyeshëm në respekt dhe në frymën e Kushtetutës. Ndërkohë që Presidenti u bën thirrje palëve që ta lexojnë Kushtetutën, të thellohen dhe të shfrytëzojnë hapësirën për të gjetur zgjidhjen për krizën përfshirë datën e re. Presidenti garanton popullin se është në detyrë dhe gati të marrë vendime të rëndësishme në përputhje me kompetencat për t’i shërbyer interesit kombëtar.