Ilir Meta priti sot në një takim anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi, tashmë të shkarkuar nga Vetingu. Në një njoftim shpërndarë mediave, thuhet se Meta, e falenderoi z.Muçi që pranoi të ushtronte detyrën e Gjyqtarit të Gjykatësit Kushtetues, si kandidatura e parë e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës.

Presidenti Meta i kërkoi zotit Muçi që të vlerësonte mundësinë që të rishikonte qëndrimin e tij më të fundit për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehej me vendim për të deklaruar përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar kushtetues. Z.Muçi i deklaroi Presidentit Meta se, procesi i rivlerësimit kalimtar i kryer në Kolegjin e Posacëm të Apelimit ka qenë tepër diskriminues edhe për faktin e qëndrimeve të tij si gjyqtar kushtetues.

Z.Muçi i shprehu Presidentit Meta se nuk është politikan, por një jurist dhe duhet të veprojë si i tillë deri në fund për të kërkuar të drejtat e tij pranë çdo gjykate ndërkombëtare, vendimi i së cilës ka juridiksion ndaj Republikës së Shqipërisë. Megjithatë zoti Muçi e garantoi Presidentin Meta se do të mirëkuptojë çdo veprim të mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës, për të vijuar procesin midis tyre në lidhje me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti Meta ndërkohë është në pritje të njoftimit nga Gjykata Kushtetuese për të rishpallur mënjehërë këtë vakancë për aplikim. (TemA)