“Qeveria i ka në vëmendje të gjithë shqiptarët në Siri, por duhet treguar diskrecion, pasi mund të rrezikohen nga terroristët atje”. Kështu ka deklaruar sot nënkryetarja e Komisionit të Integrimit, Senida Mesi, e ftuar në një studio televizive mbi reagimin e qeverisë ndaj shqiptarëve në Siri.

“Ishte rasti i Alvinit që e nxori në dritë këtë fenomen. Nuk e pranoj që shteti shqiptar nuk është i ndjeshëm me këto raste. Në kampin Al-Haël ndodhen shumë individë që janë rekrutuar në mënyrat nga më të çuditshme për të luftuar atje. Qeveria i ka vëmendje, por nuk janë raste që duhen bërë publike, pasi të gjithë ata që ndodhen aty mund të kthehen nga terroristët atje në subjekt. Raste të tilla duhen trajtuar me diskrecionin më të madh. Duhet patur vëmendje te parandalimi i rasteve të tilla, parandalimi i radikalizimit. Askush nuk ka shkuar me detyrim, por me dëshirën për të shërbyer për diçka. Rikthimi është i vështirë dhe duhen kaluar disa procedura, në mënyrë që këta individë të riintegrohen dhe të kthehen ata që ishin para se të shkonin në ato kampe”, shpjegoi Mesi. E pyetur nëse shteti shqiptar ka informacion të plotë për shtetasit shqiptarë në Siri, Mesi tha se bëhet fjalë për një vend që nuk ka shtet që të komunikosh me institucione.

Në lidhje me nismën e shpejtimit të 4 lirive të BE-së, Mesi theksoi se, “Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar në Serbi qeverisë serbe njohjen e Kosovës. Rama nuk ka reshtur së lobuari për njohjen e Kosovës, në çdo takim. Mosnjohja nuk duhet të përjashtojë Kosovën të bëjë marrëveshje bilaterale me Shqipërinë dhe Malin e Zi”.

Mesi foli edhe për situatën me banorët tek Unaza e Re. “Situata duket më e rëndë sesa ditët e mëparshme. Qeveria do të finalizojë projektin që është investim publik, por interesi i individit po trajtohet me vëmendjen maksimale si nga qeveria, ashtu edhe nga Bashkia e Tiranës,” tha ajo.