Përparim Kabo ka dhënë një intervistë për gazetaren Entela Resuli të Dita-s, ku flet për situatën shoqërore dhe politike në Shqipëri.

Ne kemi shkëputur një pjesë të shkurtër të kësaj interviste.

-Precedentët janë që, gjatë këtyre viteve, personat që janë afruar në politikë, shpesh nuk kanë aftësinë e duhur për të bërë këtë punë. Madje më shpejt afrohet në politikë dikush që ka kryer një krim, sesa dikush që ka bërë një shkollë. Çfarë duhet të bëjnë, si ta ndryshojnë këtë sistem?

Po, është e rrezikshme, madje shumë kjo gjë që ju thoni. Largimi i tyre është çështje kohe. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, bashkë me Gjykatën Speciale, do t’i fshijnë. Do duken shumë të vegjël atëherë. Kjo histori nuk është e largët. Mos harrojmë atë që na thuhet shpesh: “Shqipëria është vendi NATO-s”.

Një shtet anëtarë i Aleancës së Atlantikut Verior nuk mund të drejtohet nga drejtues të lartë me bllok gjobash, apo nga deputetë që u japin favore në investime publike ish të dënuarve për vepra kriminale, apo nga kryetarë bashkish që u japin në përdorim pasuritë publike kriminelëve, e më keq akoma, nga ministra që u japin leje shfrytëzimi të mineraleve apo ekosistemeve, njerëzve nga bota e errët e krimit.

Nëse mendohet se mund të jesh edhe në NATO, edhe në botën e krimit, atëherë nuk ka as mendje e as mendim. Jo mbytur në një fatalitet që shumë shpejt do të tregojë se ku e ke vendin.

–Profesor, besoni realisht te Reforma në Drejtësi?

Në besim nuk do kishte kuptim alternativa realisht, apo irealisht. Çështja shtrohet, o beson, ose nuk beson. Unë personalisht besoj. Do ketë firo rrugës, manovra djallëzore dhe infiltrime në strukturat e reja edhe të ndonjerit që nuk e meriton, por ato janë si përpëlitjet e të mbyturit. Këta tipa më kujtojnë atë përshkrimin e Viktor Hugo, të atij që po mbytej dalëngadalë në llumin e një kënete…dhe nuk e besonte se në fund do zhytej i tëri. E kuptoi kur nuk e pa më dritën.

–Ndërkohë, kemi një opozitë jashtë sistemi dhe një qeveri që ka zaptuar çdo pushtet. Ku po shkojmë? Pse është kaq e vështirë të krijohet një parti e re në Shqipëri?

Opozita edhe është, edhe nuk është jashtë sistemi, sepse deputetët e listës janë atje nën siglën e partive të opozitës. Ikja nga Parlamenti ishte një gabim historik. Mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale e thelloi atë pa argumente bindëse.

Më e keqja është se partitë e vogla tani që mbeten pa gjë, si i thonë fjalës “me gisht në gojë”, duan zgjedhje edhe pa kushtin e Partisë Demokratike, për një qeveri tranzitore dhe pa zotin Edi Rama kryeministër.

Mesa duket, kjo qasje nuk u pranua nga ndërkombëtarët. Precedentët e së kaluarës gjatë tranzicionit bindën se kjo manovër përdoret nga palët në mënyrë ciklike, thjesht si mekanizëm për ndërrimin e vendeve në drejtimin e shtetit dhe nuk është se maturon, apo ka lidhje me rigjallërimin e demokracisë institucionale.

Nëse do të vish në pushtet, duhet të tregosh se ke një projekt ndryshe. Fjala vjen, na trego se kur të jesh në pushtet si do t’i shëndoshësh financat publike, si do jetë ngarkesa fiskale, si do e zhvillosh sektorin bankar, atë monetar dhe financiar. A ke një plan kombëtar për zhvillimin e sektorit të mineralogjisë dhe hidrokarbureve, të mineraleve të rralla dhe të pyjeve, të ujërave dhe ekosistemeve? Ke stradegji për zhvillimin e bujqësisë dhe mbrojtjen e fondit të tokës, për zhvillimin e blegtorisë dhe agrobiznesit? Ke strategji ndryshe për zhvillimin e arsimit dhe të shkencës, të artit dhe të kulturës? A ke strategji për objektivat e mijëvjeçarit? E nëse i ke, bëji prezente.

Data e zgjedhjeve vjen dhe ti hyr në to, sepse populli do të mbështesi, pasi populli, (zgjedhësi), nuk është ushtria e krimit . Si i tha Berluskoni zotit Sali Berisha para disa viteve në parlamentin shqiptar, kur PD ishte në opozitë: “Zoti Berisha, e kuptoj padurimin tuaj. Dita që zgjedhjet do bëhen do të vijë, pikërisht atë ditë duhet të jesh gati me projekte dhe program konkret, ndaj tani në opozitë ke kohën dhe detyrimin që t’i përgatitësh për ato”.

Ju thoni që Qeveria ka zaptuar çdo pushtet. Le ta shohim nga afër si dhe çfarë ka ndodhur. Qeveria ka pushtetin ekzekutiv. Pushteti legjislativ që lidhet me Parlamentin ishte i përbërë nga një shumicë e majtë. Opozita pretendon tani në gjysmën e mandatit se janë blerë votat e madje me paratë e krimit dhe të drogës.

Akuza është e rëndë. Shit-blerja e votës, si edhe e demaskoi i pari, i ndjeri Sokol Olldashi në sallën e Parlamentit, është një fenomen që ngarkon me përgjegjësi të gjitha palët, është përdorur nga ne tha ai, madje edhe këtu në sallën e Kuvendit te Shqipërisë. Nëse PD do zgjedhje pa këtë qeveri, kjo nuk garanton se paratë e krimit në qarkullim për të cilat ajo flet me kaq siguri, nuk do të blejnë sërish votat.

Pushteti juridik, ose me saktë sistemi drejtësisë, është në proces Vettingu nën mbikëqyrje të ndërkombëtarëve, madje SHBA është deklaruar se atë proces e drejtojmë ne, atëherë si mund të themi që ky pushtet është i zaptuar nga qeveria.

Media si pushtet i katërt nga kontrollohet? Po ka media që janë nën kontrollin e qeverisë, si ka media që kontrollohen nga opozita, nga presidenti, nga tregu dhe nga gjahtarë të fondeve, aq sa u provua se marrin subvecione dhe honorare edhe nga jashtë Shqipërisë, me rrugë diversive. Përball kësaj tabloje, si mund të themi që qeveria ka zaptuar të gjitha pushtetet. A mund të shpëtojmë duke krijuar një apo disa parti të tjera politike? Edhe mundet. Por mendoj se ndryshimi do ndodhë pas spastrimit. Atëherë do shohim kush dhe çfarë do mbetet!