Melisa është vajza që festoi ditëlindjen në Kampin e Emergjencave në Vorë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Fëmijët iu rikthyen normalitetit, duke kërcyer e kënduar për disa momente, pas traumës së tërmetit. Ministrja Belinda Balluku ka marrë pjesë në festën e vogëlushes 6 vjeçare, ku ka festuar me të gjithë fëmijët e pranishëm.

Ajo ka uruar vogëlushen duke i shprehur të ketë vetëm shëndet e lumturi pranë prindërve e gjyshërve. Për vogëlushen kjo ishte ditëlindja më e bukur që kishte festuar deri tani.

“Shumë urime për ty! Shumë urime për Melisën! Melisa tha që kjo është ditëlindja më e bukur që ka pasur. Në Kampin e Emergjencave në Vorë, mes tingujve të muzikës dhe lojërave të fëmijëve, festuam ditëlindjen e vogëlushes 6-vjeçare, të gjithë bashkë si një familje e madhe! Jetë të gjatë Melisës, shëndet e lumturi bashkë me prindërit e me gjyshërit, u bëfsh sa më e madhe”, tha ministrja Balluku.

Ministrja Balluku gjithashtu garantoi se askush në këtë situatë nuk do jetë vetëm sepse asgjë nuk është e pamundur kur jemi në këmbë. “Askush nuk është vetëm, sot jemi edhe më të fortë, sepse jemi të bashkuar! Asgjë nuk është e pamundur, kur është në këmbë”, u shpreh Balluku.